Shitja e Marcelo Brozovicit në Al-Nassr ia ka hapur dyert Romelu Lukakut.

Në fakt, Interi po planifikon që paratë e fituara nga shitja e mesfushorit kroat t’i përdorë për blerjen e sulmuesit belg.

Lajmi e ka bërë të ditur mediumi italian “Corriere dello Sport”, sipas të së cilit, drejtori sportiv i “Nerazzurri”, Piero Ausilio do të takohet me drejtuesit e Chelseat për të diskutuar për sulmuesin e fuqishëm.

Interi do ta bëjë një ofertë të përmirësuar, respektivisht 30 milionë euro që do ta përfshijnë huazimin dhe blerjen e obliguar, që lidhet nga disa objektiva, si të skuadrës, ashtu edhe të lojtarit.

Do të jetë e vështirë, natyrisht, që “Blues” ta pranojnë këtë ofertë duke e konsideruar faktin se sa shumë ka investuar për lojtarin.

Por, nëse Zikaltrit arrijnë në 40 milionë, mund të arrihet marrëveshja.

Ish-futbollisti i Evertonit dhe i Manchester Unitedit është i gatshëm ta vazhdojë eksperiencën italiane dhe nuk dëshiron të rikthehet në Angli, shkruan “Gazeta Express”.

Me Interin, përfaqësuesi belg u shpall nënkampion i Evropës në edicionin e fundit.

Atë së fundmi e donte edhe Milani, por Lukaku nuk e sheh veten në një ekip tjetër në Itali pos Interit.