“Rasti i fundit Feniks dhe hetimi i hapur nga institucioni kompetent, Prokuroria, dyshojnë 15 persona, mes tyre edhe ish-zyrtarë të lartë të DPMNE-së. Të dyshuarit akuzohen se kanë përvetësuar 57 milionë euro para të qytetarëve për 11 monumente nga Shkupi 2014”, tha në konferencë për media Lidija Tasevska, deputete e LSDM-së.
“Shkalla e këtij krimi historik shihet më së miri duke krahasuar vlerën e parave të keqpërdorura. Për shembull, një kopsht i ri, modern dhe i pajisur plotësisht për 200 fëmijë kushton rreth 1.5 – 1.7 milionë euro. Kjo do të thotë se për 57 milionë euro mund të ndërtohen 33 çerdhe të reja në mbarë vendin”, tha Tasevska.
Sipas saj, “DPMNE vendosi që në vend të njerëzve, qytetarëve, fëmijëve, paratë të përfundojnë në xhepat e dikujt. Nuk kanë menduar të krijojnë kushte më të mira për më të rinjtë, nuk kanë menduar për sigurimin e kapaciteteve adekuate, kanë menduar vetëm për pasurimin personal”.
“Vetëm në një rast janë keqpërdorur 57 milionë euro, që do të thotë se janë vjedhur 33 çerdhe. Për 6 vite LSDM ndërtoi dhe rinovoi 80 çerdhe në të gjitha komunat në vend”, thotë Tasevska.