Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në konferencë për media është pyetur lidhur me refuzimin për takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri shqiptar nuk pranoi të komentojë mbi deklaratën e Kurtit të bërë sot pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ndërsa tha se për turin, do të flas nesër në Prishtinë, kur të jetë koha për të folur.
“Nuk kam lidhje me këtë. Për sa i përket vajtjes nesër në Prishtinë, gjithë turit, do të flas kur të jetë koha për të folur që është nesër në Prishtinë”, tha Kryeministri Rama.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha sot se është i gatshëm të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje.
Këtë deklaratë Kurti e bëri para mediave pas mbledhjes së Qeverisë, i pyetur rreth vizitës së paralajmëruar të Ramës në Kosovë, në kuadër të një turni në Ballkan.
“Unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryeministrin Rama dhe e di që do vijë në Prishtinë në kuadër të turit Ballkanik. Është thënë që ky ka të bëjë lidhur me përgatitjen e Samitit të radhës të Procesit të Berlinit, që do të mbahet në tetor, pra pas tre muajve. Unë miqësisht i kam kërkuar Ramës se meqenëse do të vijë në Prishtinë e do të qëndrojë dy ditë e një natë, ta mbajmë edhe mbledhjen e dy Qeverive e cila u anulua paarsyeshëm, ndonëse ishte paraparë muaj më parë për datën 14 qershor. Të gjitha përgatitjet i patëm bërë. 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen, ndërsa tani kanë mbetur në sirtar. Në mënyrë që marrëveshjet e dakorduara të mos ngelin edhe më tutje në sirtar, sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat, por qytetarët, dhe çdo ditë e humbur pa i nënshkruar këto marrëveshje është dëm për qytetarin, unë i kam propozuar kryeministrit Rama meqë po vjen këtë javë le ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të dy Qeverive tona dhe t’i nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara që janë në sirtar dhe t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”, tha ai.
“Unë jam gatshëm të takohem me kryeministrin Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje”, përfundoi Kurti.