Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi ka njoftuar se Qeveria në seancën e sotme ka sjell vendim që lehtëson lëvizjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“Lehtësojmë lëvizjen ndërkufitare me Republikën e Kosovës! Vendkalimet e përbashkëta kufitare së shpejti do të bëhen realitet!
Në seancën e sotme të Qeverisë shqyrtuam dhe miratuam Raportin për negociatat e realizuara dhe tekstin e përshtatur të Kontratës me Qeverinë e Republikës së Kosovës për pikat e përbashkëta kufitare “Bllacë – Han i Elezit” dhe “Jazhincë – Glloboçicë”.
Angazhuam Ministrinë e Punëve të Brendshme t’i qaset nënshkrimit të kësaj marrëveshje të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e Grubit.
Udhëheqësit e institucioneve të të dyja vendeve u shprehën se ky është hapi i rëndësishëm për rajonin i cili do të ndihmojë në zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut aktualisht kanë dy pikë-kalime kufitare, Hanin e Elezit dhe Glloboqicën. Pikë kalimi kufitar në Han të Elezit është më i frekuentuari nga udhëtarët e të dyja shteteve.(Indeks.mk)