Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministra dhe ish-ambasadorë, kanë mendime të ndryshme sa i përket Ballkanit të Hapur, pse u nis dhe çfarë u arrit. Për deputetin e Partisë Socialiste, dikur zëvendësministër i Jashtëm, Etjen Xhafaj, nisma ishte një nivel paralel me atë të Procesit të Berlinit, ku vendet e rajonit synonin integrimin ekonomik dhe social, duke u përgatitur për integrim evropian

 

Me kundërshtime nisi dhe ashtu përfundoi. Pas njoftimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për përfundimin e Ballkanit të Hapur, pushteti dhe opozita në Shqipëri, por edhe ish-diplomatë, kanë qëndrime të ndryshme për arritjet dhe për arsyet e mbylljes së nismës rajonale, ku, pos Shqipërisë, bën pjesë edhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Për pushtetin, nisma e arriti qëllimin përse u krijua si një shtysë për Procesin e Berlinit, ndërkaq, për opozitën, nuk pati asnjë arritje, por shkaktoi vetëm dëme në marrëdhëniet me Kosovën dhe i shërbeu Serbisë.

Nisma, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri, dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.