Al-Riyadh ka shprehur interesimin për futbollistin e Kombëtares së Kosovës, Ermal Krasniqin. Kështu ka raportuar këtë të premte mediumi rumun “ProSport“.

Klubi nga Arabia Saudite tashmë e ka dërguar ofertën te klubi i Clujit. Oferta thuhet se është 5 milionë euro.

5 milionë është edhe çmimi që kërkon klubi rumun për shitjen e 24-vjeçarit, mirëpo nuk po pajtohet me mënyrën se si klubi saudit do të bëjë pagesën.

Propozimi i Al-Riyadh është që shuma të paguhet me disa këste, ndërsa Cluji po kërkon që shuma të paguhet në dy këste.

Bisedimet do të vazhdojnë këto ditë dhe ka mundësi që të gjendet një zgjidhje për ta çuar Krasniqin në skuadrën nga elita e futbollit në Arabinë Saudite.

Sa i përket të ardhmës së ish-sulmuesit të Ballkanit, sipas “ProSport”, gjasat ekzistojnë që ish-sulmuesi i Ballkanit të përfundojë në ligën e re të yjeve të futbollit.

Ermal Krasniqi në sezonin e fundit regjistroi 22 paraqitje në të gjitha garat, teksa shënoi pesë gola dhe kontribuoi me dy asistime.

Reprezentuesi i Kosovës me Clujin ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026.