Vendimi për dhënien e ndihmës makrofinanciare për Maqedoninë e Veriut me vlerë deri në 100 milionë euro për t’u përballur me pasojat e shkaktuara nga agresioni rus kundër Ukrainës, është një nga pikat e agjendës së seancës së sotme të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAK) të BE-së në Bruksel.
Propozim-vendimi, i miratuar nga Komisioni Evropian më 6 shkurt të këtij viti, është miratuar më parë nga Parlamenti Evropian më 13 qershor, ndërsa të mërkurën e kaluar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të qeverive të vendeve anëtare në Bashkimin Evropian (KOREPER).
Propozimi i Komisionit Evropian bën me dije se ekonomia e vendit, e cila filloi negociatat e anëtarësimit me BE më 19 korrik të vitit 2022, është prekur ndjeshëm nga recesioni i vitit 2020 si pasojë e pandemisë së Kovid-it, si dhe nga kriza energjitike. Kriza e shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës , e cila kontribuoi në rritjen e nevojave fiskale.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka treguar një përkushtim të fortë për zbatimin e reformave të mëtejshme, duke u fokusuar në fushat kyçe të politikave të identifikuara në Konkluzionet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë të 24 majit 2022, duke përfshirë reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit”, citohet në propozim.
Siç njofton reporteri special i MIA-s nga Brukseli, Komisioni Evropian thekson se vendi ka operacionalizuar me sukses ndihmën makro-financiare për tejkalimin e pasojave të pandemisë së KOVID-19, duke zbatuar “të gjitha aktivitetet reformuese të dakorduara me Unionin në Memorandumin e Mirëkuptimit”, përcjell Indeks.mk
Gjithashtu, në propozim citohet se në prillin e kaluar vendi arriti një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një program 24-mujor të likuiditetit deri në 530 milionë euro, i cili u miratua zyrtarisht nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së më 22 nëntor të vitit 2022, për të lehtësuar pasojat e ndikimeve të jashtme, për të mbështetur konsolidimin fiskal dhe për të përshpejtuar reformat strukturore në disa fusha, duke përfshirë politikën tatimore dhe investimet publike.
“Duke marrë parasysh përkeqësimin e situatës ekonomike dhe parashikimeve, Maqedonia e Veriut për herë të parë kërkoi ndihmë makro-financiare nga Unioni për të plotësuar programin e FMN-së në prill të vitit 2022. Megjithatë, Komisioni e vuri atë kërkesë në pritje, pasi ekonomia e vendit në atë kohë ishte ende mjaft e qëndrueshme dhe kishte disa opsione të tjera financimi. Qeveria e Maqedonisë së Veriut rinovoi kërkesën e saj për ndihmë makro-financiare në tetor të vitit 2022”, shtohet propozimi.
Duke pasur parasysh se vendi është kandidat për anëtarësim dhe ka nisur negociatat e anëtarësimit, KE-ja vlerëson se ka të drejtë të marrë ndihmë makrofinanciare nga Bashkimi si “një instrument financiar i jashtëzakonshëm për të mbështetur bilancin e pagesave, i cili synon të përgjigjet ndaj nevojave imediate për financim të jashtëm” dhe për zbatimin e masave për përshtatje të menjëhershme dhe reforma strukturore për përmirësimin e pozicionit të bilancit të pagesave në afat të shkurtër.
“Në rrethanat aktuale të jashtëzakonshme, ndihma makrofinanciare e Unionit për Maqedoninë e Veriut do të jetë përgjigje adekuate ndaj kërkesës së vendit për mbështetje për stabilizimin e ekonomisë. Ndihma makro-financiare e Unionit do të mbështesë stabilizimin ekonomik dhe agjendën e reformave strukturore të Maqedonisë së Veriut, duke plotësuar burimet e vëna në dispozicion sipas marrëveshjes financiare të FMN-së. Ndihma makro-financiare e Unionit duhet të synojë të mbështesë rivendosjen e gjendjes së qëndrueshme me financimin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe në këtë mënyrë të mbështesë zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, përfundon Komisioni.
Propozimi më tej thekson se përcaktimi i shumës së ndihmës makrofinanciare të Bashkimit për vendin duhet të bazohet në një vlerësim sasior të nevojave të mbetura për financim të jashtëm dhe të marrë parasysh kapacitetin e vendit për të financuar me burimet e veta, veçanërisht me rezervat valutore me të cilat disponon.
“Me rastin e përcaktimit të sasisë së ndihmës, kontributet e pritshme financiare nga donatorët shumëpalësh dhe nevoja për të siguruar një ndarje të drejtë të barrës midis Bashkimit Evropian dhe donatorëve të tjerë, si dhe vendosja paraprake e instrumenteve të tjera financiare të jashtme të BE-së dhe vlerës së shtuar të përfshirjes së përgjithshme të Unionit në Maqedoninë e Veriut”, citohet në dokument.
Sipas KE-së, kjo ndihmë makrofinanciare duhet të mbështesë politikën e jashtme të Bashkimit ndaj Maqedonisë së Veriut dhe përkushtimin e vendit ndaj vlerave të përbashkëta me BE-në, duke përfshirë respektimin për demokracinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, respektimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë, si dhe një përkushtim ndaj parimeve të tregtisë së hapur dhe të bazuar në rregulla dhe korrektësi.
“Një parakusht për dhënien e ndihmës makro-financiare për Unionin duhet të jetë që Maqedonia e Veriut të respektojë mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë sistemin parlamentar shumëpartiak dhe sundimin e ligjit, dhe të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut. Për më tepër, objektivat specifike të asistencës makrofinanciare të Bashkimit duhet të forcojnë efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien e sistemeve të menaxhimit të financave publike, si dhe qeverisjen dhe mbikëqyrjen e sektorit financiar, si dhe duhet të nxisin reformat strukturore që synojnë të mbështesin një sistem të qëndrueshëm dhe rritje gjithëpërfshirëse, krijimin e vendeve të punës dhe konsolidim fiskal. Komisioni duhet të monitorojë rregullisht përmbushjen e këtyre parakushteve nga Maqedonia e Veriut dhe arritjen e këtyre qëllimeve, theksohet në Propozim.
Komisioni thekson se për të siguruar që interesat financiare të Unionit lidhur me ndihmën makrofinanciare të mbrohen në mënyrë efektive, Maqedonia e Veriut duhet të marrë masat e duhura në lidhje me parandalimin dhe luftën kundër mashtrimit, korrupsionit dhe çdo parregullsie tjetër që lidhet me atë ndihmë.
“Gjithashtu, duhet të parashikohet që Komisioni të kryejë kontrolle, Gjykata e Audituesve të kryejë auditime dhe Prokuroria Publike Evropiane të kryejë kompetencat e saj në lidhje me ofrimin e ndihmës makrofinanciare të Bashkimit për Maqedonia e Veriut”, shtohet në Propozim-Vendimin.
Me këtë vendim, siç theksohet nga Komisioni Evropian, ky organ qëndron në krah të Maqedonisë së Veriut në këto kohë sfiduese, sepse pas luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës, bilanci i jashtëm i vendit është përkeqësuar për shkak të varësisë së madhe nga importet e karburanteve dhe energjisë elektrike.
Sipas KE-së, ndihma e propozuar do të kontribuojë në mbulimin e nevojave financiare të Maqedonisë së Veriut në 2023 dhe 2024, duke mbështetur qëndrueshmërinë fiskale dhe reformat strukturore.
Parashikohet që ndihma të disbursohet në formën e kredisë në dy këste, por pagesa e tyre do të varet nga reformat e politikave në fushat e menaxhimit fiskal, politikës tatimore, menaxhimit të investimeve publike, partneriteteve publiko-private, mjedisit të biznesit, transparencës në ndihmën shtetërore, efikasitetin energjetik, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe nga zbatimi i programit të FMN-së.
“Këto reforma do ta mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, shtohet në propozimin e Komisionit Evropian.
Ndihma makro-financiare është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së për të mbështetur vendet kandidate dhe partnerët e fqinjësisë, e cila synohet si një instrument i jashtëzakonshëm reagimi ndaj krizave në rast të problemeve serioze të bilancit të pagesave.
Që vendimi për pagesën e ndihmës makrofinanciare të miratohet përfundimisht, ai duhet të miratohet nga Këshilli i BE-së, ndërsa do të hyjë në fuqi pasi të nënshkruhet nga kryetarët e Parlamentit Evropian dhe Këshillit dhe të botohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.