Komuna e Strugës përmes faqes zyrtare në Facebook, kërkon nga mysafirët dhe turistët, të cilët freskohen në ujërat e liqenit të Ohrit apo Drinit të Zi, që të respektojnë rregullat e mirësjelljes dhe rendit publik, duke mos shfaqur lakuriqësi në vende dhe hapësira publike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Për respektimin e rendit publik, sidomos gjatë sezonit turistik veror, ndalohet ecja me bikini dhe brekë plazhi gjatë gjithë ditës nëpër shëtitoren qendrore, nga Ura e Çarshisë deri në Tregun e Gjelbër”, thuhet në njoftimin e Komunës së Strugës.
Në rrethinën ku ndalohet lëvizja me rroba banje janë vendosur shenja adekuate.
“Sjellja juaj është imazh i qytetit, prandaj të gjithë duhet të përpiqemi të ruajmë imazhin pozitiv të një destinacioni turistik siç është Struga”, shtojnë nga atje.