Kuvendi i Kosovës është përfshirë sërish nga tensionet pas rifillimit të seancës pas disa orësh pushim.
Deputetët e opozitës janë mbledhur në foltore duke mos lejuar zhvillimin e seancës plenare.
Opozita mban në duar pankarta në gjuhën serbe duke akuzuar Qeverinë e Kosovës pas disa audio-përgjimeve që dolën të deputetes së Vetëvendosjes Mimoza Kusari Lila duke biseduar me një kriminel serb.
ÇFARË NDODHI GJATË PARADITES NË KUVENDIN E KOSOVËS
Një veprim i deputetit opozitar të Partisë Demokratike të Kosovës Mërgim Lushtaku u bë shkak për një përleshje të madhe mes deputetëve të opozitës dhe atyre të Vetëvendosjes në qeveri.
Përplasja fizike nisi kur zv/kryeministri Besnik Bislimi grisi nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, një poster me hundë pinoku të kryeministrit Albin Kurti, i cili ishte duke mbajtur fjalën. Kjo bëri që Lushtaku të hidhte ujë drejt Bislimit dhe Kurtit.
Për të ulur tensionet u desh edhe ndërhyrja e stafit të sigurisë së Kuvendit e madje edhe ndërprerja për disa minuta e diskutimeve. Para mediave, Lushtaku argumentoi se reagimi i tij ishte spontan, ndaj një provokimi të mirëmenduar nga Bislimi dhe Kurti.
“Ata kanë qenë të gatshëm me vepruar me çdo formë për të na nënvlerësuar aksionin politik. Nuk ka logjikë të sulmohet nga një zëvendëskryeministër për aksion politik”.
Ndërsa Ministri i Financave i shmangu komentet.
Lëvizja Vetëvendosje, në një deklaratë për shtyp, i quajti deputetët e PDK-së “një bandë rrugaçësh” që sulmuan kryeministrin dhe ministrat. Sulmi, sipas Vetëvendosjes ndodh në një moment të rëndësishëm ballafaqimi diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë.
Edhe kreu i PDK-së Memli Krasniqi ishte në të njëjtën linjë me deputetin Lushtaku, në një postim në Facebook, duke fajësuar zv/kryeministrin Bislimi, si shkaktar të dhunës. Gjatë fjalës së Kurtit, opozita kishte vendosur në sallë pankarta me mbishkrimin në serbisht “Zdravo”, që i referohen përgjimeve të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me nënkryetarin e Listës Srpska Slavko Simiç.