Pak më shumë se dy javë qëndroi në PDK, dhe vendosi të kthehet sërish te partia nga e cila iku.

Këshilltarja komunale e Prishtinës, Berna Saraçi, më 27 qershor kishte vendosur që t’i bashkohej grupit të këshilltarëve të PDK-së në Komunën e Prishtinës, duke kaluar atje nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, sonte njoftoi se Berna Saraçi ka vendosur që të rikthehet sërish te partia nga e cila iku, LVV-ja.

“Më 21 qershor ndava njoftimin se Berna Saraçi na u bashkua për Prishtinën. Më 27 qershor, në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal, zyrtarizuam kalimin e saj si asambliste në grupin e PDK me arsyetimin e elaboruar në fjalimin e saj”.

“Sonte Berna ka vendosur të kthehet si asambliste e LVV-së për të përmbyllur mandatin e saj në grupin ku ishte deri me 21 qershor”, njoftoi Sahatçiu, teksa i dëshiroi rrugëtim të qetë dhe të mbarë në vazhdimësi.

Edhe Gëzim Zveçla, Këshilltar komunal i LVV-së në Prishtinë, konfirmoi rikthimin e Berna Saraçit, teksa postoi një fotografi gjatë një takimi që ata dy, bashkë me kolegun e tyre Arianit Beqirin, kishin takuar sonte kryeministrin Albin Kurti.

E në kohën e kalimit të Bernës nga LVV-ja në PDK, kjo e para pati pretenduar se Saraçi ka dalë në ekipin e PDK-së në kryeqytet, pasi është kërcënuar nga kjo parti.

Edhe atëherë, nënkryetarja e Prishtinës Donjeta Sahatçiu pati reaguar duke kërkuar nga pretenduesit të zbulojnë emrat se kush e ka kërcënuar Saraçin, e jo, sipas saj, të bëjnë pretendime të padëshmuara.