Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar sot me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.
Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka thënë se me Krasniqin kanë rënë dakord për nevojën për de-përshkallëzimin e situatës në veri dhe kthimin në procesin e dialogut pa vonesë.
“Pata një shkëmbim të dobishëm pikëpamjesh me kreun e PDK-së, Memli Krasniqin, për gjendjen aktuale në veri të Kosovës. U pajtuam për nevojën për de-përshkallëzim dhe për t’u kthyer në dialog pa vonesë”, ka shkruar Lajcak.
Për këtë takim ka njoftuar më herët edhe Krasniqi. Lideri i opozitës tha se për PDK-në janë të papranueshme veprimet të cilat po e largojnë Kosovën nga rruga e paalternativë e integrimit euro-atlantik dhe të cilat po i sjellin vendit sanksione nga partnerët tanë.
“PDK do të angazhohet fuqishëm në misionin e saj, që përmes të gjitha mjeteve demokratike, të ruaj nteresin e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Kjo vlen edhe për sa i përket shtensionimit dhe kthimit të normalitetit në komunat e pjesës veriore të Kosovës”, tha Krasniqi.