Nuk ka “asnjë kërcënim” pushtimi nga Bjellorusia, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një takim të premten me liderët ushtarakë, sipas një raporti të dhënë nga shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov.

Kjo deklaratë vjen pasi ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë këtë javë tha se priste ardhjen e njësive ushtarake ruse, si dhe luftëtarët nga grupi mercenar Wagner, të cilët do të marrin pjesë në stërvitje të përbashkët me forcat bjelloruse, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.

Udhëheqësi i vendit Alexander Lukashenko, një aleat i vendosur i presidentit rus Vladimir Putin, në fund të muajit të kaluar pretendoi se luante një rol kyç në ndalimin e marshimit të Wagnerit drejt Moskës dhe gjithashtu tha se armët taktike bërthamore që Rusia planifikon të vendosë në Bjellorusi, kishin mbërritur.

Në një postim në Telegram të premten, Zelensky tha gjithashtu se mbrojtja e termocentraleve bërthamore dhe kufiri verior i Ukrainës u diskutua në takimin e stafit.

Ukraina po mbyll dhe forcon vazhdimisht kufirin e saj verior me Bjellorusinë dhe Rusinë, duke inkurajuar gjithashtu civilët në disa rajone që ende jetojnë afër kufirit të largohen për në vende më të sigurta.

Të enjten, komandanti i Forcave të Përbashkëta Gjeneral Letonton Serhii Naiev tha se Ukraina vazhdon të “krijojë barriera inxhinierike drejtpërdrejt përgjatë kufirit shtetëror; ne gërmojmë kanale antitank dhe minojmë zonën”, duke shtuar se qëllimi është ta bëjmë atë zonë ” e pakalueshme”.

Udhëheqësit diskutuan gjithashtu situatën në vijën e parë, ndihmën e re të mbrojtjes pas samitit të kësaj jave të NATO-s, ofensivën aktuale dhe përmirësimin e logjistikës së furnizimit të ushtrisë ukrainase.