Institucionet morën 294 vetura me qira për dy muaj, paguan 164 mijë euro.

Një kontratë për shfrytëzimin e 294 veturave me qira për dy muaj, është nënshkruar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit. Vlera e kontratës është rreth 164 mijë euro, derisa kjo praktik e marrjes me qira të veturave ndiqet tash e shumë vite, nga institucionet e Kosovës. Nga shoqëria civile thonë se institucionet përgjegjëse kanë bërë keq menaxhim në momentin që kanë nënshkruar këtë kontrate dhe në të njëjtën kohë kanë hapur thirrjen për tenderë, për blerje të veturave

Mosplanifikimi i duhur për blerjen e veturave për institucionet, ka detyruar Agjencinë Qendrore të Prokurimit të nënshkruaj edhe një kontratë për vazhdimin e shfrytëzimit të veturave me qira.

Një kontratë në vlerë prej 164 mijë eurove është nënshkruar këtë javë, nga AQP-ja, për marrjen me qira të 294 veturave edhe për dy muaj.

Nga buxheti i shtetit deri më tash janë paguar miliona euro, për shfrytëzimin e këtyre veturave nga institucione të ndryshme, derisa në të njëjtën kohë është hapur edhe thirrja për tender, për blerjen e veturave.

Praktika e marrjes së veturave me qira, është tash e shumë vite, në Kosovë derisa AQP-ja, kishte të nënshkruar kontratë me po të njëjtën kompani për shfrytëzimin e mbi 350 veturave, për 5 vite e gjysmë, kontratë e cila ka skaduar këtë muaj.

Nga lëvizja FOL thonë se mosmenaxhimi i duhur, po kushton me dëmtim të buxhetit, derisa thonë se blerja e veturave do të mund të ndodhte edhe më herët.

“Nga ajo çfarë për një kohë të shkurtër arrita me i pa të gjitha këto, vërtet mund të them se është një keqmenaxhim në këtë aspekt, sepse të gjitha institucionet në këtë rast edhe AQP-ja e ka pasur të ditur se kur i përfundon kontrata për veturat me qira që i kanë marr institucionet tona, dhe e kanë pasur mundësinë që përgatitjet për hapjen e një tenderi për blerjen e veturave të e bëjnë shumë më herët”, ka thënë Mexhide Demolli- Nimani nga Lëvizja FOL.

E nga Instituti i Kosovës për drejtësi, thonë se më ideale është që institucionet publike, të i marrin veturat me qira, sesa të i blejnë për shkak se mirëmbajtja e tyre është e kushtueshme.

“Është shumë e rëndësishme që këto procedura të tenderimit, të jenë të drejta, të hapura dhe të paanshme në mënyrë, që d.m.th vetëm ata që i plotësojnë kriteret kushtet njëfarë mënyre të fitojnë këtë tenderë, dhe pastaj i njëjti të zbatohet në bazë të asaj që përcaktojnë procedurat. Në anën tjetër është e vërtet që në këtë rast njësia qendrore e prokurimit, institucionet publike e vlerësojnë nëse është më mirë për të blerë vetura të reja, apo për të marr me qira, ne kemi parë në rastet që kur merren me qira është e vërtet që institucionet në rastet kur nuk kanë obligime për mirëmbajtje ndoshta ndonjëherë do të mund të jenë më efektive, mund të jenë më shumë që e ruajnë paranë publike”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

Agjencia Qendrore e Prokurimit gjatë muajit qershor ka hapur thirrjen për tenderë, në vlerë prej 7 milionë eurove, për blerjen e 240 veturave për institucione të ndryshme të Kosovës. Sipas dosjes së tenderit, më shumë vetura do i dedikohen Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, KGJK-së e KPK-së./RTV Dukagjini