Njëqind milionë euro mbështetje makrofinanciare për Maqedoninë e Veriut është miratuar sot nga BE-ja, e cila paraqet mbështetje për rrugën drejt anëtarësimit në BE, mbështetje për reformat dhe, më e rëndësishmja, mbështetje për politikat në kohë krize.

“Ndihma nga BE-ja është një konfirmim i gjithë asaj që ne ndërmarrim si politika pasi është konfirmuar më parë nga institucionet financiare ndërkombëtare. Janë 100 milionë euro, me të cilat BE-ja mbështet planin e vendit për tu përball me krizën energjetike dhe reformat e procesit të integrimit evropian”, deklaron ministri i Financave Fatmir Besimi, përcjell Indeks.mk

Ai shton se ky është rezultat, siç thuhet nga BE-ja, i përkushtimit të fortë që ka treguar Qeveria në zbatimin e reformave të mëtejshme, duke u fokusuar në fushat kryesore të politikave të identifikuara në konkluzionet e përbashkëta të dialogut ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqia nga 24 maj 2022.

Ndihma e BE-së do të përdoret për të mbuluar nevojat financiare gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke mbështetur si qëndrueshmërinë fiskale ashtu edhe reformat strukturore që synojnë menaxhimin fiskal, politikën tatimore, menaxhimin e investimeve publike, partneritetet publiko-private, mjedisin e biznesit, transparencën në ndihmën shtetërore, efikasitetin e energjisë, reformat në drejtësi, si dhe lufta kundër korrupsionit.

Ndryshe, bëhet fjalë për fondet nga paketa që Komisioni Evropian i vendosi gjatë krizës së Kovid-19. Në vitin 2020 dhe 2021, Maqedonia e Veriut përdori 160 milionë euro mbështetje makro-financiare nga BE-ja për t’u përball me pasojat ekonomike të koronavirusit.(Indeks.mk)