Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të raportojë nesër, para Kongresit Amerikan, lidhur me zhvillimet në zonën për të cilën është ngarkuar me detyrë.

Ai para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë pritet të japë dëshmi, me fokus kryesor, marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë, kryesisht nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

”Elementi kyç është përmbushja e obligimit të Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në vitin 2013. AKS do të fuqizonte komunat me interesa të përbashkëta, gjuhë dhe kulturë për të koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal. Për më tepër, Kosova dhe Serbia ranë dakord të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare”, thuhet në dokumentin të cilin ai pritet t’ua paraqes kongresistëve.

Tutje në dokumentin e publikuar nga avaz, përmendet me shqetësim situata e krijuar në veri, pas arritjes së marrëveshjeve në Bruksel e Ohër.

Aty përfshin edhe dhunën e ushtruar nga protestuesit serbë kundër forcave paqeruajtëse, policisë dhe gazetarëve.

”Që kur palët arritën këto marrëveshje, ka pasur provokime serioze, tensione të përshkallëzuara dhe dhunë të papranueshme nga protestuesit serbë kundër KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në veri të Kosovës. Si përgjigje, NATO vendosi elementë të forcave rezervë për të përforcuar misionin; mban një qëndrim të zgjeruar në veri të Kosovës për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt në përputhje me mandatin e saj të OKB-së”.

Seanca dëgjimore e Komisionit për Punë të Jashtme pritet të fillojë nesër në mesditë derisa nga Escobar theksohet angazhimi me partnerët evropianë, për Kosovën dhe Serbinë, duke u bërë thirrje të dyja palëve të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre, përcjell Klankosova.tv.