Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të hënën ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet I.A, i njohur me nofkën “Liza”.
Siç ka njoftuar PSRK-ja, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri I.A. në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S.
“Me këtë në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ nga neni 147 paragrafi 1 nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës)”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës më 16 korrik kishte njoftuar se është arrestuar personi i kërkuar me nofkën “Liza”, i cili për disa vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasje.
I.A u prangos rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës.
“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën “Liza””.
Sipas policisë, arrestimi i tij është kryer, pas bashkëpunimit dhe koordinimit të njësiteve të ndryshme policore, përfshirë sektorin e narkotikëve të cilët kanë asistuar deri në arrestimin e tij.
Ilir Abdullahu konsiderohet të jetë bashkëpunëtor i Enver Sekiraqës, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza.
I dyshuari ka qenë në kërkim nga Interpoli nën akuzat për organizim të vrasjes së policit Riza.
Arben Berisha është dënuar me 35 vite burg për vrasjen e policit.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.
Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.