“Treshja e Vajmarit” ndodhet për një vizitë dyditore në vend, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet të vizitojë Kuvendin. Treshja e përbërë nga Sekretarja e Shtetit për Evropën në Këshillin e Ministrave të Francës Laurence Bunn, Ministrja gjermane për Evropën Anna Leermann dhe Ministri i Çështjeve Evropiane të Polonisë Szymon Szynkowski vel Senk do të takohen me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, në Kuvend, transmeton Portalb.mk.

Priten takime edhe me koordinatorët e grupeve parlamentare.

Gjatë vizitës dyditore, “Treshja e Vajmarit” ka takuar dje kreun e shtetit dhe përfaqësues të partive politike.

Ata u bënë thirrje të gjitha forcave politike në Maqedoninë e Veriut që të mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe theksuan se nuk do të ketë kërkesa të reja. Viti 2030, sipas tyre, është një synim real për anëtarësimin e vendit në BE, dhe prandaj tani është momenti për të marrë përgjegjësi.

Ata dje fillimisht u pritën nga zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet evropiane, Bojan Mariçiq, ndërkaq më pas zhvilluan takime edhe me kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe presidentin Stevo Pendarovski.

“Vendin në Bashkimin Evropian e kemi, nevojitet konsensus për të ardhmen evropiane”, deklaroi Mariçiq, në takimin me teme procesi eurointegrues të Maqedonisë së Veriut. Ai shtoi që mysafirët theksuan që vendet e Bashkimit Evropian pas një periudhe të gjatë janë hapur dhe kjo është një mundësi që nuk duhet të lëshohet.

Zëvendëskryeministri në takim deklaroi që tonet pozitive që vijnë nga partnerët evropian, së bashku me planin e ri për integrim të nxituar, propozuar nga Komisioni Evropian, është një arsye e mjaftueshme për optimizim dhe një nxitje për dinamikë të re të procesit.

Mariçiq sot do të zhvillojë takim pune me Laurence Bunn, Anna Lirman, Shimon Shinkovski vel Senk, në të cilin temë e bisedës do të jenë negociatat me BE-në, me fokus përmbushjen e obligimeve dhe detyrave që dalin nga korniza e negociatave dhe përshpejtimi i procesit të integrimit evropian, pas së cilës do të vijojnë deklaratat në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në takim me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski u shpreh mbështetje e qartë dhe e fortë për Republikën e Maqedonisë së Veriut në lidhje me vazhdimin e negociatave me BE-në dhe integrimin e përshpejtuar evropian.

“Është vlerësuar se vendi ynë në këtë moment ndodhet para një mundësie unike për të bërë hapin kyç në integrimin evropian dhe për të siguruar perspektivën evropiane, me mundësinë e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Kjo, siç u tha, do të kontribuojë në zbatimin e detyrueshëm dhe të përshpejtuar të standardeve evropiane në të gjitha fushat me rëndësi për qytetarët, si përmirësimi i standardeve të jetesës dhe sundimi i ligjit. Gjithashtu, bashkërisht u theksua se zgjerimi i Unionit, veçanërisht në kontekstin aktual, nuk është vetëm një procedurë teknike, por një prioritet gjeopolitik i BE-së. Prandaj, është shprehur pa mëdyshje pritshmëria që të gjitha subjektet politike në vend të konfirmojnë orientimin evropian, duke i dhënë mbështetje në Kuvend vendimeve të ardhshme, të cilat, siç u theksua, janë pjesë e kornizës negociuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimi Evropian”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Sipas Kabinetit të Presidentit, Stevo Pendarovski në takim u bisedua për procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, për realizimin e detyrave që dalin nga korniza negociatore, si dhe për mundësitë për përshpejtimin e integrimeve evropiane të vendit.

“Presidenti Pendarovski theksoi se shteti mbetet i përkushtuar për procesin e filluar negociues dhe zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme, duke theksuar se anëtarësimi në BE është interesi ynë strategjik dhe është i nevojshëm vullnet i fuqishëm politik nga të gjithë faktorët politikë për të përmbushur. detyrimet e marra. Krahas ndryshimeve të nevojshme kushtetuese u theksua rëndësia e shtetit ligjor, ndërtimi i një shteti juridik funksional, si dhe lufta më e suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Bashkëbiseduesit e takimit shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ministrja për Evropën dhe Klimën e Republikës Federale të Gjermanisë, Anna Leermann, sot do të marrë pjesë në aktivitetin me temë: “Përgatitja për zgjerimin e BE-së”, që organizohet nga Sekretariati për Çështje Evropiane, në bashkëpunim me Institutin për Politika Evropiane (EPI).

Paraprakisht, më 13 korrik Maqedoninë e Veriut e vizituan edhe tre krerët e diplomacisë së Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë, të cilët theksuan “po i përcjellin mesazhet e përfaqësuesit të lartë për punë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, për integrimin evropian të vendit”.

Vendi kaloi një maratonë të vështirë dhe do të ishte turp të pengohej mu në pengesën e fundit, tha ministri austriak i Punëve të Jashtme, Alexander Schallenberg, i cili së bashku me kolegët e tij kërkuan miratimin ndryshimeve kushtetuese që vendi të vazhdojë përpara drejt Bashkimit Evropian.

Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani,  tre krerët e diplomacisë theksuan se “po i përcjellin mesazhet e përfaqësuesit të lartë për punë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, për integrimin evropian të vendit.”

Nëse Maqedonia nuk i miraton amendamentet kushtetuese, ajo përballet me rrezikun të mbetet e izoluar, theksoi Schallenberg dhe e thirri opozitën e vendit të mbajë përgjegjësi politike për interesat kombëtare dhe jo partiake.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

VMRO-ja opozitare vazhdon të bllokojë procesin e ndryshimeve kushtetuese. Pasi fillimisht i pëlqeu ideja të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në e pa BDI-në, dhe të votohen ndryshimet kushtetuese, së fundmi, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ndryshoi mendje duke thënë se nuk do të flasë me Qeverinë për asgjë që është e lidhur me ndryshimet kushtetuese, por vetëm për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare.

Përkundër bllokadës së VMRO-së, partitë në pushtet janë optimiste. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se ndryshimet kushtetuese do t’i dorëzohen Kuvendit për shkurt kohë. Këtë informatë, me fjalë të ngjashme e tha edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.