Sot, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e pranoi Propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, propozues i të cilit është Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit.

“E informojmë opinionin se në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren, Kryetari tani më e ka caktuar seancën plenare më 18 gusht 2023 në ora 11:00. Para se të shqyrtohet Propozimi në Seancë plenare, Propozimin do e shqyrtojë Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, kryetar i të cilit është Talat Xhaferi. Seanca e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese është caktuar më 25 korrik në ora 10:00. Në pajtim me dispozitat ligjore, Komisioni duhet të debatojë sipas Propozimit më së shumti 10 ditë pune. Duke e pasur parasysh se 2 Gushti është ditë jo pune, a më 27 korrik tani më ka seancë të caktuar për pyetje të deputetëve, pritet që puna e Komisionit për Çështje Kushtetuese të përfundojë ndërmjet 7 dhe 9 gusht. Pas çka, Propozimi do të shqyrtohet në seancë plenare, në të cilën debati zgjat deri në 10 ditë pune”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Kuvendit.

“Në rast se me shumicë dy të tretat, miratohet nevoja për nxjerrjen e ndryshimeve kushtetuese, Kuvendi miraton Konkluzion dhe e dërgon materialin në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kuvendi, me Konkluzion e cakton afatin në të cilin parashtruesi (Qeveria), përpilon tekst të propozim amendamenteve të Kushtetutës, të cilin e dërgon te Kryetari i Kuvendit, pas çka Kuvendi, në procedurë të njëjtë në kontekst të afateve, do të debatojë për to”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kuvendit.