Kjo pamje është pothuajse çdo ditë në Portin e Durrësit, raporton Klan. Mbi 7 mijë udhëtarë dhe mbi 4 mijë automjete hyjnë çdo ditë në Shqipëri përmes këtij porti.
Muaji Korrik ka sjellë një fluks turistësh në vendin tonë, duke bërë që në shumicën e rasteve tragetet të bëjnë dy udhëtime të ditë.
“E enjte, e premte, e shtunë, e dielë 4 ditë do të operojmë me 5 tragete në ditë, me dy udhëtime nga Bari për çdo linjë, gjithsej 4 udhëtime nga Bari dhe 1 nga Ancona. Ancona, Korrikun, Gushtin dhe Shtatorin do të jetë çdo ditë”, thotë Kapiteni i Portit të Durrësit, Taulant Allka.
Për të përballuar fluksin e lartë të udhëtarëve, autoritetet portuale kanë vendosur në dispozicion të udhëtarëve 32 sportele për kontrollin e dokumentacionit, 20 prej të cilave vetëm për automjetet.
“Do të punohet në mëngjes me mbërritjet me 32 sportele, 20 për makinat dhe 12 për sportele për pasagjerë të cilët kalojnë nëpërmjet terminalit”.
Për të shmangur radhët e gjata, nga ana e kapitenerisë është organizuar orari i hyrjeve të trageteve në kalata për të mos krijuar radhë dhe kaos në pikun e fluksit.