Nisja e punimeve në ndërtimin e korridorit tetë po pret përfundimin e elaborateve për tjetërsimin e tokës ndërtimore, dhe përfundimin e matjeve gjeomekanike që po kryhen në akset rrugore Tetovë – Gostivar dhe Gostivar – Kërçovë dhe Prilep – Manastir.
Me fjalë tjera, pritet që analizat profesionale të tregojnë sa është trualli i parashikuar për ndërtimin e autostradave i volitshëm për ndërtim, sa janë kushtet e ndërtimit të lehta apo të rënda. Përkatësisht, pas përgatitjeve paraprake, mobilizimit të burimeve njerëzore dhe makinerive, pritet që së shpejti të fillojnë edhe punët konkrete në ndërtimin e këtij korridori, pas përfundimit të të gjitha procedurave të nevojshme.
Drejtori i Ndërmarrjes Shtetërore të Rrugëve, Ejup Rustemi thotë se për projektimin e traseve do të angazhohen të gjitha kapacitetet në vend, ku këto ditë do të miratohen edhe të gjitha aktivitetet projektuese për projektimin e traseve dhe korridoreve rrugore. Njëherësh deri tani kompanisë “Bechtel dhe Enka”, i janë transferuar 167 milionë euro për mobilizim e ndërmarrjeve që do të përfshihen në ndërtimin e këtyre autostradave, si dhe avansin për korridorin 8 dhe korridorin 10d.
Modeli është ndryshuar, për shkak të kohëzgjatjes shumëvjeçare të ndërtimit të projekteve kyçe infrastrukturore. Me marrëveshjen e nënshkruar parashikohet koncept i ri për ndërtim të rrugëve ku në mënyrë paralele do të realizohen disa aktivitete si analizat gjeomekanike, përgatitja e elaborateve për eksproprijim, projektimi, andaj edhe pritet të ketë realizim më të shpejtë të punëve ndërtimore.
Për herë të parë në vend po ndërtohet në këtë mënyrë i ashtuquajturi “fidig system” sipas të cilit kompanisë i besohet të menaxhojë të gjithë procesin si në pjesën e projektimit ashtu edhe në atë të performancës (ndërtimit ), i cili shmang përplasjen e kompanive projektuese dhe kompanisë kontraktuese.
Për dallim prej autostradë së re, punimet në autostradën Kërçovë – Ohër janë vonuar edhe si rrjedhojë e më shumë gabimeve në projektim. Bile deri në muajin qershor janë zgjidhur mbi 3500 lëndë pronësore dhe juridike midis shtetit dhe qytetarëve në tërë trasenë e ndërtimit të autostradës Kërçovë – Ohër, dhe janë realizuar 72 riprojektime, dhe projektime të nyjeve rrugore të cilat nuk ishin të parashikuara së bashku me riprojektimin e një pjesë më të madhe të shpateve.
Punimet do të realizohen në akset rrugore Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë dhe Prilep – Manastir. Fillimisht janë llogaritur se 1.3 miliard euro do të kushtojnë rrugët e reja moderne që do t’i ndërtojë kompania “Bechtel dhe Enka”. Kësaj shume duhet t’i shtohen edhe harxhimet e tjera për blerjen e tokës private për ndërtim prej 300 milionë euro si dhe kostot e projektimit. Përllogaritjet janë bërë nga ekspertët e Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup dhe janë reviduar nga shtëpia konsulente prestigjioze “Grant Tornton”.