Analisti serb, Dushan Janjiq, tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e detyrueshme sipas të drejtës ndërkombëtare, që do të thotë se është obligim edhe politik, edhe ligjor.

Ai tha se ata që udhëheqin negociatat ende nuk e kanë kuptuar se ky është obligim i tyre moral dhe shoqëror si ndaj shoqërisë kosovare ashtu edhe ndaj Serbisë.

“Formati i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është vendosur në bazë të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe nuk mund të ndryshohet derisa rezoluta është e vlefshme”, tha ia për Fonet, transmeton Express.

Janjiq beson se formati i bisedimeve dypalëshe në kuadër të dialogut, me shumë përgatitje dhe humbje kohe, është përdorur prej kohësh, për të cilën thotë se është një nga arsyet e krizës dhe thekson se i gjithë procesi zhvillohet në mënyrë burokratike.

Por, sipas mendimit të tij, ndryshimi do të pasojë, gjë që shihet edhe nga përfshirja aktive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Janjiq thotë se do të ketë një grupim të temave dhe prezantimin e tyre ku do të duhet të dëgjohet mendimi i Kishës Ortodokse Serbe dhe propozimi i saj për një marrëveshje për trashëgiminë kulturore të serbëve.

Ai tha se do të duhet të bisedohet “me serbët e Kosovës, jo vetëm me Listën Srpska”, por edhe me shqiptarët nga Serbia, që në fund të atij procesi të organizohet një konferencë ndërkombëtare.