Aktet e dhunës në politikë janë krejtësisht të papranueshme. Djegia e automjetit të Grubit është një akt i shëmtuar që duhet të zbardhet dhe të mos përsëritet kurrë më. Kështu e vlerëson incidentin e ndodhur në Çair të Shkupit mëngjesin e hershëm të së shtunës, analisti Seladin Xhezairi.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve Flaka, Xhezairi thotë që: “Politika është një aktivitet që nënkupton debat dhe argumentim, kritikë të mendim ndryshe, por jo rrugaçëri.
Rrugaçëria politike, shton ai, e demotivon qytetarin të marrë pjesë në procese demokratike, e gërryen demokracinë nga brenda dhe si e këtillë e bën atë jofunksionale.
“Andaj, dënimi i dhunës në politikë duhet të vijë njëzëri nga të gjithë ata që demokracinë e çmojnë si sistem më të mirë qeverisës. Hedhja e gurit dhe fshehja e dorës, për rrjedhojë flet më së shumti për vet autorët në kërkim të cilëve, qofshin grupe të interesit apo presionit, gjykoj se nuk u bën mirë.Nuk u bën mirë për shkak se në këtë prag zgjedhjesh, vota nuk fitohet me romuze e topuze, por me projekte të kapshme e të bëshme. Gjithësesi, është një akt i neveritshëm dhe për keqardhje”, shton njohësi i mirë i rrethanave politike në vend e rajon, Seladin Xhezairi.
Mëngjesin e së shtunës, në rrugën Strumiçka në Shkup ku banon zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nga persona deri tani të panjohur iu vu flaka veturës së mikut të tij, e që shfrytëzohej për qëllime private pikërisht nga zv,kryeministri Grubi. Akti u dënua nga drejtues të BDI, ASH dhe eskonentë të tjerë të jetës publike në vend e rajon. Flaka