“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, pastër, çlirimtare dhe antikoloniale”, ishte përgjigja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kur është pyetur nga gazeta kroate “Veçernji List”, për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Kurti tha se beson në pafajësinë e tyre, duke treguar se çfarë ka bërë shteti i Kosovës për të akuzuarit.

Kreu i ekzekutivit tha se si shtet kanë paguar mbi 16 milionë euro për mbrojtjen e tyre.

Pos kësaj, Kurti shton se drejtësia ndërkombëtare nuk ka përfunduar akoma puna për sa i përket drejtësisë në ish-Jugosllavinë.

“Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, e pastër, çlirimtare dhe antikoloniale. Unë besoj në pafajësinë e atyre që janë atje. Ne e mbështesim mbrojtjen e tyre dhe deri më tani kemi paguar si shtet mbi 16 milionë euro për mbrojtjen e tyre. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se nuk e kanë mbaruar punën e tyre sa i përket drejtësisë në territoret e ish-Jugosllavisë, sepse në vitet e nëntëdhjeta nga forcat serbe janë vrarë 150 mijë joserbë. Do të thotë që, nëse një njeri ka vrarë deri në 10 prej tyre, janë 15 mijë vrasës serikë në Serbi të cilët shëtisin lirshëm. Nga ky numër, as 1% e tyre nuk kanë përfunduar pas grilave. Edhe këtu kemi një asimetri të theksuar që bie ndesh me pajtimin e popujve tanë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Gjykata Speciale po gjykon për “krime lufte” ish-krerët e UÇK-së. Ndërkaq kjo gjykatë ishte themeluar me aprovimin e Kuvendit të Kosovës.