Sot në ora 10:00 është caktuar seanca e Komisionit për Çështje Kushtetuese në Kuvend, në të cilën si pikë e vetme e propozuar në rendin e ditës do të gjendet propozimi për ndryshime kushtetuese, transmeton Portalb.mk.
Pas miratimit të rendit të ditës, kryeministri Dimitar Kovaçevski pritet të sqarojë propozimin në një fjalim 30-minutësh. Pas tij do të mund të flasin anëtarët apo deputetët e tyre të këtij organi parlamentar, pas së cilës do të mund të flasin edhe deputetë të tjerë.
Është bërë e ditur se do të ketë të paraqitur për të folur nga të gjitha grupet parlamentare.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese, e caktoi seancën për sot pasi pikërisht një javë më parë Qeveria i dha dritën jeshile projekt-amendamenteve kushtetuese që paraprakishtishin përgatitur nga grupi punues për ndryshime kushtetuese në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Në propozim-iniciativën e miratuar nga Qeveria, propozohet që në Preambulën e Kushtetutës të shtohen edhe bullgarët dhe pesë kombësi të tjera. Në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë duhet të përfshihet edhe populli kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian.
Për këtë pikë, Komisioni për Çështje Kushtetueseduhet të diskutojë maksimumi 10 ditë. Duke qenë se data 2 gusht është ditë jopune dhe seanca për çështjet parlamentare është caktuar për 27 korrik, njoftoi Kuvendi, puna e këtij organi pritet të përfundojë në periudhën 7-9 gusht.
Më 18 gusht, megjithatë, ndryshimet kushtetuese të propozuara do t’u paraqiten deputetëve në seancë plenare.
Përkundër faktit se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka kërkuar konsensus ndërpartiak për amendamentet kushtetuese, VMRO-DPMNE-ja opozitare është e mendimit se nuk do të pranojë amendamente nën diktimin bullgar.
Në prag të seancës së sotme të komisionit, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dje ka takuar grupin parlamentar të kësaj partie, duke përsëritur qëndrimin se nuk do të mbështes ndryshimin e Kushtetutës.
Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00. Para se të shqyrtohet Propozimi në Seancë plenare, Propozimin do e shqyrtojë Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, kryetar i të cilit është Kryetari Xhaferi. Seanca e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese është caktuar më 25 korrik në ora 10:00.
Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.