Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetim ndaj MTS, filialit të Telekomit të Serbisë në Kosovë. Ky hetim është nisur nën dyshimin se ndërmarrja ka realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës duke fituar kontroll mbi ndërmarrjet tjera për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Selajdin Beqa, thotë për Ekonomia Online është nxjerrë një Konkluzion për fillimin e procedurës kundër MTS D.O.O, e cila operon në tregun e Kosovës me ofrim të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor.

“Në fund të vitit 2022 kemi filluar monitorim të theksuar të tregut të telekomunikimeve siç jeni të njohur edhe media e juaj edhe opinioni i gjerë kemi hapur disa hetime nga ky sektor, me të cilët jemi në procedurë tash më hetimore dhe vlen të theksohet rasti i procedurës hetimore ndaj ndërmarrjes MTS për të cilën veçse tash jemi në hapat e fundit të procedurës ku pala është njoftuar për njoftimin e fakteve paraprake të konstatuara në procedurë tash më i kemi edhe konstatimin e fakteve me të cilat do të ftohet ndërmarrja në seanca dëgjimore para komisionit të Autoritetit të Konkurrencës dhe aty do të përballemi me të gjeturat të cilat janë konstatuar nga grupet hetimore në kuadër të AK dhe mbi bazën e asaj, tani komisioni do të tërhiqet të marrë një vendim”, u shpreh Beqa.

Ai theksoi se kishin hapur hetim ndaj ndërmarrjes MTS lidhur me mosaplikimin e paraqitjes së njoftimit të përqendrimeve në Autoritetin e Konkurrencës ashtu si e parasheh ligji.