Baballarët në Maqedoninë e Veriut ankohen se pas shkurorëzimit u shkelet e drejta për të marrë pjesë aktive në zhvillimin psikofizik të fëmijëve të tyre, pasi e drejta e kujdestarisë në mbi 90 për qind të rasteve u takon nënave.
Sipas ligjeve ekzistuese, baballarët mund t’i takojnë fëmijët e tyre dy herë në muaj nga disa orë. Ata kërkojnë që të aplikohet sistemi i vendeve evropiane ku kujdestaria u ndahet që të dy prindërve.
Branko Bërkoviqit pas shkurorëzimit Qendra për Punë Sociale ia ka caktuar që ta takojë djalin e tij të mitur një orë në çdo dy javë. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është i indinjuar se nuk arrin të ketë rol aktiv gjatë zhvillimit psikofizik të të birit.
Korniza ligjore që rregullon çështjen e kujdestarisë në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, është diskriminuese, pasi në njërën anë baballarët i detyron të paguajnë me kohë pagesën e alimentacionit, kurse në anën tjetër ata kanë pak hapësirë për të vendosur rreth kujdesit të fëmijëve të tyre.
“Në bazë të vendimit të parë që mora nga Qendra për Punë Sociale unë si baba mund të takoj djalin një orë brenda dy javëve. Brenda kësaj kohe një fëmijë nuk arrin të ju njohë e jo më të vendoset një raport i shëndoshë prind-fëmijë dhe anasjelltas”, shprehet Bërkoviq.
“Djali im edhe pak do të festoj ditëlindjen e shtatë. Merreni me mend ai nuk e di se ku jetoj unë pasi nuk kam mundur të kaloj as edhe një natë të vetme bashkë, e mos të flasim se ai nuk i njeh gjyshërit, nuk njeh askënd nga familja ime. Më thoni nëse është kjo në rregull? Kuptohet se jam ankuar në gjykatë për këtë, por kërkesa ime mbetet në labirintet e gjykatës, përderisa im bir rritet pa njohur babanë dhe familjarët e tij nga i ati”, thotë Bërkoviq.