Banka Popullore kontribuon në forcimin e qëndrueshmërisë së bankave, u theksua në takimin e guvernatores të Bankës Popullore, Anita Angelovska- Bezhoska dhe zëvendësguvernatorëve, Ana Mitreska dhe Fadil Bajrami, me shefin e ri për Çështje Ekonomike në Ambasadën e SHBA-së në vend, David Myers dhe Jordan Damçevski, ekonomist i lartë në Ambasadë.

Siç thuhet në njoftimin e Bankës Popullore, pandemia dhe periudha pas saj sollën sfida të shumta, por sektori bankar ruajti dhe forcoi më tej stabilitetin në punë. “Sipas të dhënave më të fundit, likuiditeti i bankave është në nivele të kënaqshme, aftësia paguese është përmirësuar dhe është më e larta në gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit, ndërsa cilësia e portofolit të kredisë ka mbetur, me një normë të ulët të kredive me problem”, informoi Banka Popullore.

Nga aty theksojnë se Banka Popullore për këtë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm përmes zbatimit të suksesshëm të kornizës rregullative dhe zbatimit të politikave dhe masave makroprudenciale që në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme e kanë forcuar qëndrueshmërinë e bankave. “Për të forcuar më tej rezistencën e sistemit bankar ndaj rreziqeve, në një periudhë njëvjeçare, Banka Popullore ndërhyri tre herë në normën e shtresës mbrojtëse anticiklike të kapitalit. Ajo gjithashtu miratoi masa të tjera makroprudenciale për të ruajtur cilësinë e përdoruesve të kredisë”, thuhet në njoftim.

Në takim u diskutua edhe për Ligjin e ri për zgjidhjen sistematike për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar. “Në përputhje me ligjin, Banka Popullore do të bëhet autoriteti kompetent për zgjidhjen e problematikave të bankave, dhe synimi është të sigurojë veprim të shpejtë dhe efikas, nëse ndonjë bankë përballet me probleme serioze, duke ruajtur funksionet e saj që konsiderohen veçanërisht të rëndësishme për ekonominë, duke shmangur një ndikim të rëndësishëm negativ në stabilitetin financiar”, thuhet në njoftim.

Nga Banka Popullore theksojnë se zgjidhja ligjore e propozuar zbaton direktivën e re evropiane për rikuperimin dhe zgjidhjen e problemeve me institucionet e kreditit dhe firmat e investimeve, duke konfirmuar kështu përpjekjet e vazhdueshme për respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare. Në fund të takimit u konfirmua bashkëpunimi i mirë tradicional dhe të pranishmit shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin dhe thellimin e tij.