Në Maqedoninë e Veriut, analistë e shikojnë si të arsyeshëm vendimin e Bashkimit Demokratik për Integrim për të tërhequr ministrat nga qeveria, me kusht që opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE të votojë ndryshimet kushtetuese. Analistët me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës, vlerësojnë se shumica parlamentare do të arrijë të bindë një numër të caktuar deputetësh opozitarë që të votojnë pro këtyre ndryshimeve kushtetuese, të cilat paraqesin kusht për vazhdimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Seladin Xhezairi shprehet se tani topi është në fushën e VMRO-DPMNE-së, e cila në fillim të muajit qershor theksoi gatishmërinë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me kusht largimin e BDI-së nga qeveria.

Analisti vlerëson se kushtëzimet që VMRO DPMNE-ja i bën për përjashtimimin e BDI-së nga qeveria janë joserioze:

”Idetë nuk bien nga qielli – ka thënë një filozof italian në shekullin e kaluar dhe në këtë rrafsh, kështu i shoh edhe veprimet e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim. S’do mend se edhe integristët e zotit (Ali) Ahmeti llogarisin për zgjedhjet e radhës, por janë veprime si një përpjekje për të imponuar hyrjen në lojë të VMRO-DPMNE-së”, thotë Seladin Xhezairi nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal.

Ndërkohë, analisti Albert Musliu thotë se BDI-ja nuk është në qeveri vetëm me dëshirën dhe vullnetin e vetë por dhe të votuesve për të qenë pjesë e pushtetit.

“Sa i palogjikshëm të duket ky vendim (i BDI-së), ai është i kushtëzuar me votimin e ndryshimeve kushtetuese; nuk është pa kushte. Por, mendoj se ia pamundëson narrativin e mëtutjeshëm VMRO-së lidhur me efikasitetin ose mënyrën e qeverisjes së kuadrove të BDI-së”, thekson Albert Musliu nga Asociacioni për Nisma Demokratike.

Ai shton se në të kaluarën partitë maqedonase kanë bërë gabime strategjike në kurriz të shtetit, ndërsa “partitë shqiptare kanë treguar durim dhe kapacitet për hir të afrimit të vendit me institucionet euro-atlantike”.

Seladin Xhezairi thotë se qeveria po bën llogari për arritjen e numrit të nevojshëm të deputetëve duke përfshirë disa prej ligjvënësve të opoztës maqedonase të cilët do të votonin ndryshimet kushtetuese.

Ai është i bindur se aktualisht po bëhen kontakte të qeverisë me deputetë të VMRO-së, por megjithatë vlerëson se komuniteti ndërkombëtar “do të arrijë t’ia ndryshojë mendjen drejtuesit opozitar Hristijan Mickovski (VMRO-DPMNE) për heqjen dorë nga kushtëzimet e paraqitura”.

Ndërkaq, paralajmërimet e zotit Mickovski se do ta linte jashtë BDI-në kur ai të formojë qeveri, i shikon si të ngutshme, nga që BDI-ja sipas të gjitha sondazheve del partia më më tepër mbështetje tek elektorati shqiptar.

“Është e logjikshme se çdo parti bartëse e mandatit për formimin e qeverisë, do të duhej të ishte e interesuar që ta ketë rehatinë politike e ndëretnike në ekzekutivin e ri”, thotë zoti Xhezairi.

Albert Musliu e quan paradoksale refurzimin e opozitës maqedonase për ndryshimin e kushtetutës në një kohë kur Suedia, siç thotë, “nën trysninë e Turqisë po ndryshon kushtetutën e saj”:

“Me mbylljen e argumenteve, siç e bëri BDI-ja lidhur me pjesëmarrjen e saj në qeveri, do t’i pamundësohet hapësira manovruese VMRO-DPMNE-së dhe do ta bëjë atë hap (të përfshirjes në ndryshimet e kushtetutës). Mos të harrojmë se presim vizita të miqve tanë evropianë e euro-atlantiuk me qëllim që t’i inkurajojnë zyrtarët e VMRO-së. Me kalimin e kohës, jam më shumë skeptik se do të bëhet me ndonjë konsensus më të gjerë, por shpresoj se qeveria të arrijë të bind një numër të deputetëve të opozitës me qëllim që ata të mbështesin ndryshimet kushtetuese”, thekson analisti Musliu.

Zoti Musliu thotë se ndryshimet kushtetuese herët a vonë do të bëhen, por nëse zvariten do të ketë pasoja, sipas tij, për shoqërinë e këtij vendi.

Analistët mendojnë se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme vetëm pse opozita e drejtuar nga VMRO-DPMN-ja e kërkon me ngulm një gjë të tillë.

Drejtuesi i partisë së dytë më të madhe në koalicionin qeveritar, Ali Ahmeti i drejtohej të dielën Kryeminstrit Dimitar Kovaçevski përmes Facebook-ut se “Maqedonia e Veriut gjendet në një fazë kritike të së ardhmes evropiane; se vendimet e mëdha, sipas tij kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore, ndërsa BDI-ja është e përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik mbetet interesi më madhor i të gjithë qytetarëve të vendit”.

Parlamenti ka caktuar 18 gushtin për hapjen e seancës plenare lidhur me ndryshimet kushtetuese ku pakica bullgare dhe pakicat e katër popujve të tjerë ballkanikë pritet të përfshihen në Preambulënë e Kushtetutës. Megjithatë, për këtë duhet mbështetja e dy të tretës së ligjvënësve, apo 80 vota në parlament, të cilat aktualisht partitë e shumicës nuk i kanë.