Barça e zgjedh zëvendësuesin e Dembeles.

Barcelona është e vetëdijshme se mund të mbetet pa Ousmane Dembelen në sezonin 2023/24.

Futbollisti francez e sheh veten gjithnjë e më afër Paris Saint-Germainit dhe “Blaugrana” po mendojnë tashmë për pasuesin e tij.

Sipas mediave spanjolle, kampioni spanjoll nga shitja e Dembeles do të mundohet t’i blejë dy lojtarë, përcjell “Gazeta Express”.

Fillimisht, do t’ia mësyjë Bernardo Silvas, të cilin e sheh si zëvendësues ideal të ish-futbollistit të Borussia Dortmundit.

Kampioni anglez dhe evropian e vlerëson 80 milionë euro portugezin kreativ, të cilit City ia ka ofruar vazhdimin e kontratës, por atë e do edhe pikërisht Paris Saint-Germaini.

Ndërkohë, katalunasit e duan edhe Joao Cancelon, i cili mund ta mbulojë krahun e djathtë.

Mbrojtësi ofanziv nuk është në planet e trajnerit Pep Guardiola dhe, edhe pse ka kontratë në “Etihad Stadium” deri më 2027, mund të largohet prej aty gjatë kësaj vere pas gjysmë sezoni të kaluar në formë huazimi në Bayern Munich.

Ndërkohë, Dembele ka kontratë me Barçën deri në vitin 2024 me një klauzolë të shkëputjes së saj prej 50 milionë eurosh, e cila do të vlejë vetëm deri sonte në mesnatë.