Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa dhe Sejdiu u akuzuan për një sërë veprash penale përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është duke lëvizur aty pari.

Që të dy akuzohen po ashtu se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.