Buffon bëhet me punë të re pas pensionimit, rikthehet në Kombëtaren e Italisë.

Lajmi ishte në ajër, por tani është konfirmuar zyrtarisht, Gianluigi Buffon do të jetë shefi i ri i delegacionit të Kombëtares Italiane. Portieri legjendar italian, që vendosi të tërhiqet nga futbolli i luajtur vetëm dy ditë më parë, njoftoi zyrtarisht rikthimin e tij në përfaqësuesen italiane.

“Kthehem në Kombëtare, sepse ky fëmijë që 30 vite më parë trokiste për herë të parë në dyert e Covercianos, ka ende dëshirë për të ëndërruar dhe për të përjetuar këtë ëndërr bashkë me tifozët italianë”, shkroi Buffon.

Gardiani i mirënjohur, i cili është futbollisti me më shumë ndeshje me fanellën e Italisë u shpall edhe kampion bote në 2006-ën me të kaltrit. Buffon u tërhoq nga futbolli i luajtur në moshën 45-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere të ndritur, në të cilën fitoi thuajse gjithçka.