Ekipi ligjor i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i tha një gjyqtareje që mbikëqyrte çështjen e konspiracionit zgjedhor kundër tij të hënën se urdhri mbrojtës i propozuar nga prokurorët që synon parandalimin e bërjes publike të provave është shumë i gjerë dhe do të kufizonte të drejtat e tij sipas Amendamentit të Parë.
Avokatët e kandidatit kryesor për zgjedhjet presidenciale republikane thanë se gjyqtarja duhet të vendosë një urdhër më pak të kufizuar që do të ndalonte publikimin vetëm të materialeve të konsideruara “të ndjeshme” – siç janë dokumentet e jurisë së madhe – në vend të të gjitha provave të dorëzuara nga qeveria në rasti që akuzon zotin Trump për komplot për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Prokurorët kanë thënë se një urdhër mbrojtës – jo i pazakontë në çështjet penale – është veçanërisht i rëndësishëm në rastin e zotit Trump për shkak të prirjes së tij për përdorimin e mediave sociale. Ata kanë shprehur shqetësimin se zoti Trump mund të ndajë në mënyrë të pahijshme në internet informacione të ndjeshme për çështjen që mund të kenë një “efekt të dëmshëm te dëshmitarët”.
Në dosjen e tyre të premten për të kërkuar urdhrin, prokurorët përfshinë një foto të një postimi nga platforma Truth Social i Trump në të njëjtën ditë, ku ai shkroi, me shkronja të mëdha, “Nëse më ndjek, unë do të vij nga pas!”
Avokatët e zotit Trump thanë se citimi i atij postimi për të pretenduar se ekziston rreziku që zoti Trump mund të publikojë informacione të jurisë së madhe ishte “një pretendim provokues”.
Ekipi ligjor i ish-presidentit tha se postimi i tij ishte “fjalim i përgjithësuar politik” dhe nuk kishte asnjë lidhje me rastin. Një zëdhënës i zotit Trump tha javën e kaluar se postimi ishte në përgjigje të “grupeve të pandershme të interesit të posaçëm dhe të ashtuquajturave grupeve Super PAC”.
Avokatët e zotit Trump, të cilët e kanë karakterizuar çështjen e ngritur nga prokurori i posaçëm Jack Smith si një sulm ndaj të drejtës së tij për lirinë e fjalës, i thanë gjykatësit se nevoja për të mbrojtur informacionin delikat në lidhje me çështjen “nuk kërkon një urdhër të rreptë mbi të gjitha dokumentet e dhëna nga qeveria”.
“Në një gjyq për të drejtat e Amendamentit të Parë, qeveria kërkon të kufizojë të drejtat e Amendamentit të Parë”, shkruajnë avokatët e zotit Trump. “Më keq se kaq, ajo e bën këtë kundër kundërshtarit kryesor politik të administratës së saj, gjatë një sezoni zgjedhor në të cilin administrata, anëtarët e shquar të partisë dhe aleatët e medias kanë bërë fushatë mbi aktakuzën dhe kanë përhapur akuzat e saj të rreme”.
Dosja e mbrojtjes ishte në përgjigje të kërkesës së të premtes nga ekipi i zotit Smith për urdhrin mbrojtës, i cili do të vendoste rregulla mbi atë që zoti Trump dhe ekipi i tij mbrojtës mund të bëjnë me provat e dorëzuara nga qeveria ndërsa përgatiten për gjykim.
Avokatët e zotit Trump të shtunën kishin kërkuar tre ditë shtesë për t’iu përgjigjur kërkesës së prokurorëve për urdhrin mbrojtës, duke thënë se atyre u duhej më shumë kohë për diskutim. Por gjyqtarja Tanya Chutkan e refuzoi me shpejtësi këtë kërkesë.
Urdhri i propozuar i prokurorëve synon të parandalojë zotin Trump dhe avokatët e tij nga zbulimi i materialeve të ofruara nga qeveria për këdo tjetër përveç njerëzve në ekipin e tij ligjor, dëshmitarëve të mundshëm, avokatëve të dëshmitarëve ose personave të tjerëve të miratuar nga gjykata. Ai do të vendoste kufizime më të rrepta për “materialet e ndjeshme”, për të cilat prokurorët thanë se do të përfshinin dëshmitë e dëshmitarëve të jurisë së madhe dhe materialet e marra përmes urdhrave të vulosur të kontrollit.
Prokurorët thanë se ata janë të gatshëm t’i dorëzojnë një sasi të konsiderueshme provash ekipit ligjor të zotit Trump dhe se shumica e tyre përfshin informacione të ndjeshme dhe konfidenciale.
Trump ka mohuar çdo keqbërje në këtë rast, si dhe një çështje tjetër federale të ngritur nga prokurori Smith që e akuzon atë për grumbullimin e paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida.
Ai i ka karakterizuar të gjitha rastet ndaj tij si një përpjekje për të rrëzuar fushatën e tij 2024. Ekipi i tij ligjor ka treguar se do të argumentojë se ai ishte mbështetur në këshillat e avokatëve rreth tij në vitin 2020 dhe se zoti Trump kishte të drejtë të kundërshtonte zgjedhjet që ai besonte se ishin vjedhur.
Trump deklaroi se ishte i pafajshëm javën e kaluar për katër akuza për krime, duke përfshirë komplotin për të mashtruar SHBA-në dhe komplotin për të penguar certifikimin e Kongresit për fitoren elektorale të demokratit Joe Biden. Akuzat mund të çojnë në një dënim të gjatë me burgim, me akuzat më të rënda që kërkojnë deri në 20 vjet. /VOA