I inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të vazhdojnë dialogun e tyre dypalësh për të zgjidhur mosmarrëveshjet, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedonase, kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara kishin marrë ndonjë garanci nga partnerët bullgarë se nuk do të ketë veto të re për integrimet evropiane të Maqedonisë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një debat të Kongresit për rajonin muajin e kaluar tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara me qeverinë e re bullgare për të siguruar që të mos ketë kërkesa të reja pasi vendi të përmbushë detyrimet e saja sipas marrëveshjeve ekzistuese.

“SHBA-ja mbështet fuqishëm integrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Një Bashkimi Evropian që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fortë dhe më i begatë. Ne inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të vazhdojnë dialogun e tyre dypalësh për të zgjidhur mosmarrëveshjet, për të përmbushur marrëveshjet e mëparshme dhe për të mbështetur anëtarësimin e përshpejtuar të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Më 18 gusht është caktuar seanca për fazën e parë për votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë

“Për të vazhduar aspiratat e saj për BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është zotuar të miratojë ndryshime kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare. Ne e mbështesim fuqimisht këtë hap të vështirë, por të domosdoshëm”, tha Escobar në Kongres.