Pas vitit 2021, ku tetë kompani që ofrojnë para të shpejta kanë realizuar fitime me mbi 50 për qind në raport me vitin 2020, edhe në vitin 2022 ato kanë realizuar fitime të majme
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 gusht – Kreditë e shpejta vazhdojnë të jenë një biznes fitimprurës tejet i madh. Pas vitit 2021, ku bile tetë kompani që ofrojnë para të shpejta kanë realizuar fitime me mbi 50 për qind në raport me vitin 2020, edhe vjet ka vazhduar trendi i fitimeve të majme të tyre. Sipas të dhënave zyrtare të Regjistrit Qendror, këtë aktivitet e kryejnë më shumë se 30 kompani aktive, ndër të cilat rreth 8 kompani kanë një fitim që është të paktën 18 për qind e të ardhurave të gjithë kompanisë.
Të dhënat e Regjistrit Qendror tregojnë se në vitin 2021 kompania Jute ka pasur të ardhura prej 11.9 milion euro dhe fitim prej 1.2 milion euro. Në vendin e dytë dhe të tretë janë renditur “Tigo Fajnens” me 8.2 milionë euro të ardhura dhe 1.7 milion euro fitim, dhe “M- KESH” me 5.4 milionë euro të ardhura dhe fitim prej një milion euro. Në vendin e katërt dhe të pestë janë “Fleks Kredit” me të ardhura dhe fitim prej 4 dhe 2 milionë euro, pasuar nga “Qendra Kreditore BS” me 3.7 dhe 1.3 milion euro. Një vit më vonë apo në vitin 2022 , kompania “Fleks Kredit”, ka dyfishuar fitimin në 4.8 milionë euro me një qarkullim apo të ardhura prej mbi 10 milionë euro. Në vendin e dytë dhe të tretë sërish ka ndryshime ku “Tigo” ka pasur dyfishim të të ardhurave në raport me vitin paraprak nga 1.7 milion euro në afër 3.9 milionë euro. “Qendra kreditore BS”, ka avancuar rezultatet e saja financiare nga 1.3 në 1.5 milion euro.
Të dhënat tregojnë se kompanitë parave të shpejta kanë ofruar më shumë se 50 milionë euro kredi të shpejta në vitin 2021 që është rritur në 70 milionë euro në vitin 2022. Të dhënat e Regjistrit Qendror tregojnë se ky segment afarist i tregut financiar ka një potencial jashtëzakonisht të lartë dhe se të ardhurat janë të mëdha dhe ai është një biznesi i rregullt. Mirëpo këtu duhet theksuar se rregullimi i bankave është shumë më i fuqishëm intensiv dhe në një masë të madhe funksionimi i këtyre shoqërive nuk është i rregulluar nga sfera e masave dhe aktiviteteve për mbikëqyrje që janë kompetencën e Bankës Qendrore.
Nga ana tjetër, pritet që ndryshimet e fundit ligjore të ofrojnë më shumë mbrojtje për konsumatorë t për këto lloj kredie që në periudhën e kaluar ishin objekt i kritikave të shumta. Shumica parlamentare javën e kaluar miratoi ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe Ligjin për Përmbarim, ku kufizohen kamatat, të cilat nuk do të lejohen më të kalojnë shumën e borxhit kryesor. Me fjalë tjera, me vendimet e fundit, pritet t’i jepet fund kamatës që rëndonte ndjeshëm borxhin e qytetarëve, si dhe keqpërdorimeve të regjistruara më parë në praktikë, ku kamata shpesh ishte më e lartë se borxhi. Sipas ndryshimeve ligjore, në të ardhmen shoqëria financiare nuk do të mund të lidhë marrëveshje për kredi konsumatore, nëse shpenzimet që nuk përfshihen në normën vjetore të kostove të përgjithshme kalojnë 60 për qind të vlerës së kredisë së miratuar. Konkretisht, kompensimet i referohen të gjitha shpenzimeve që konsumatori i paguan ose ka detyrim t’i paguajë gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së marrëveshjes, të cilat janë si rezultat ose janë në ndonjë mënyrë të lidhura me marrëveshjen e kredisë së konsumatorit ose shërbimet e lidhura me to, ndërsa ato nuk mund të jenë më shumë se principali i kredisë. (koha.mk)