Nënkryetari i LSDM-së, Stefan Bogoev në “Summer Click” në TV21 tha se qytetarët duan që ish-kryeministri Nikolla Gruevski, por edhe shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov të përfundojnë në burg.

“Unë e di që qytetarët duan që Gruevski dhe Mijallkov të jenë në burg. Njëri ka shpëtuar si frikacak, duke u fshehur në një bagazh, ndërsa për tjetrin janë duke u zhvilluar procedura gjyqësore dhe dua që të përfundojnë me sukses”, tha Bogoev.

Ai shtoi se në asnjë qeveri të kaluar nuk ka ndodhur që prokurori dhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, të mbështetur nga pushteti, të përfundojnë në burg.

“Prokurori publik i mbështetur nga partia në pushtet shkon në burg. Katica Janeva është në burg. Ka një procedurë ndaj sekretarit të përgjithshëm të qeverisë dhe ka një procedurë gjyqësore dhe ai do të përgjigjet. Kjo po ndodh tani, gjë që nuk ka mundur të ndodhë në të kaluarën”, tha Bogoev. /TV21/.