Ish-ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku ka thënë për Front Online se Qeveria e Albin Kuritt ka bërë gabime të një pas njëshme në dialog.

Sipas tij, rezultat i këtyre gabimeve është edhe marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit me të cilën Kosova ka bërë shumë koncesione dhe nuk ka fituar njohjen reciproke nga Serbia.

Deklaron se Kurti ka zgjedhur vet që ta tensionoj situatën në veri të vendit.

“Kryeministri Kurti duke qenë i vetëdijshëm për këto gabime tepër të dëmshme, ka zgjedhur që të tensionoj situatën në veri të Kosovës, në mënyrë që të luaj me ndjenjat patriotike të qytetarëve tanë, dhe gjithashtu të prolongoj zbatimin e marrëveshjes së dëmshme, respektivisht themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kurti ia ka arritur këtyre dy qëllimeve të cilat shkojnë në favorin e tij personal, mirëpo kjo qasje ka sjellë dëme të mëdha për Kosovën dhe qytetarët e saj. Si rrjedhojë e këtyre gabimeve, Kosova është ndëshkuar dhe ndodhet nën sanksione të vendosura nga BE-ja”, ka thënë ai.

Çollaku, pohon se tashmë jemi në fazën e dorëzimit të turpshëm të Albin Kurtit.

“Tani pas gjithë këtij kaosi dhe si pasoj e presionit, Kurti është dorëzuar dhe është në proces të përmbushjeve të kushteve të vendosura nga BE-ja për de-eskalim dhe rimbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit. Pra tani jemi në fazën e dorëzimit të turpshëm të Kurtit”, është shprehur ai për Front Online.

Ndërsa, kur është pyetur se a ka qenë e nevojshme që përsëri të shkohet në zgjedhje në veri të vendit, ai ka dhënë këtë përgjigje.

“Koha po dëshmon se strategjia e qeverisë për zgjedhje atje ka qenë katastrofale, dhe vetëm ka sjellë dëme dhe pasoja të rënda për Kosovën të cilat është vështirë të riparohen”, ka shtuar ish-ministri Çollaku.