Kjo javë pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Milot Rashicës.
Ylli kosovar është në pritje të lajmeve të reja derisa po ushtron me Norwich Cityn, ku u rikthye pas një viti huazimi të suksesshëm në Galatasaray, shkruan “Gazeta Express”.
E pikërisht klubi i madh turk po synon ta transferojë përfundimisht sulmuesin e krahut, me kërkesë të trajnerit Okan Buruk, i cili ka mbetur i impresionuar me paraqitjet e vushtrriasit.
Ndonëse do ta zyrtarizojë sot brazilianin Tete, gjiganti nga Stambolli e ka prioritet ish-futbollistin e Vitesses dhe të Werder Bremenit.
Mediat turke shkruajnë se këto janë ditët vendimtare kur do të dihet nëse Galata do të jetë në gjendje ta transferojë futbollistin ofanziv.
Në të kundërtën, radha do t’i vijë Fenerbahçes, një tjetër klub turk që e do Rashicën.
Përfaqësuesi kosovar nuk e ka ndërmend të qëndrojë më në Norwich dhe këtë ua ka bërë të ditur edhe drejtuesve të klubit nga Championshipi anglez.
Ai nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në Galatasaray dhe shitja eventuale e Nicolo Zaniolos në Juventus mund t’ia hap rrugët Rashicës për t’u rikthyer në Superligën turke, shkruan “Gazeta Express”.
27 vjeçari e pati një sezon fantastik në Turqi duke i zhvillua 30 ndeshje, prej tyre 26 në ligë dhe 4 në Kupë, ndërsa kontribuoi me 6 gola dhe me 7 asistime. /Gazeta Express/