Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”  ka komentuar edhe marrdhëniet Kosovë-Serbi.

Rama deklaroi se Situata e pakicës serbe në veri mund të kthehet në një Donbass i vogël, duke shtuar se nëse do të ishte ai kryeministri i Kosovës do të bënte një zgjedhje krejtësisht të ndryshme dhe se mundësia e planit të paqes franko – gjerman është fantastike.

Pjesë nga intervista:

Po flisni për infiltrimin e Rusisë dhe Ëagnerit, si në Niger? Tensionet në Kosovë, Bosnje gjithmonë në prag të shpërthimit: jeni të shqetësuar se një front i ri do të hapet në Ballkan?

Rama: Me sytë nga e ardhmja, ka shumë për të qenë të sekëlldisur. Por deri para 10 vitesh ishte e pamendueshme që liderët ballkanikë të uleshin në të njëjtën tryezë.

Megjithatë, edhe sot, marrëdhëniet nuk janë të thjeshta. Nuk e takuat Kurtin në Prishtinë, serbi Vuçiç vazhdon flirtin me Rusinë, Dodik kërcënon me shkëputjen e Republikës Srpska. Ku është harmonia?

Rama: Serbia duhet parë ndryshe. Ajo ka një të kaluar shumë serioze si agresore, është autore e një spastrimi etnik që duhet ta lërë pas. E ka ndërtuar politikën e saj të jashtme si një korridor pasqyrash midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Serbia duhet të marrë një vendim, por mendoj se do të zgjedhë Perëndimin, botën demokratike.

A nuk e shihni një rrezik Donbass?

Rama: Po, sigurisht dhe jam shumë i shqetësuar, por gjithçka varet nga ne. Askush nuk mund ta ritrazojë Ballkanin nëse nuk i japim shanse. Konflikti në Kosovë mund të bëhet i madh, edhe pse në shkallë të vogla. Situata e pakicës serbe në veri mund të kthehet në një Donbass i vogël. Ëndrra e Putinit. Por Serbia nuk mund të jetë Rusi, edhe sikur të donte.

Ju dhe Kurti, dy liderë shqiptarë nga vende të ndryshme. Çfarë po gabon kryeministri i Kosovës?

Rama: Unë e respektoj atë, por do të bëja zgjedhje krejtësisht të ndryshme. Ai është i fiksuar dhe maksimalist. Ka një mundësi fantastike, planin e paqes franko-gjerman. Marrëveshjet nuk qëndrojnë në tavolina përgjithmonë. Pastaj, historia të bën të presësh.