Polonia është duke planifikuar që të dërgojë rreth 10.000 ushtarë shtesë në kufi me Bjellorusinë, për ta mbështetur Gardën Kufitare, ka thënë ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak.
“Rreth 10.000 ushtarë do të jenë në kufi, prej të cilëve 4.000 do ta mbështesin Gardën Kufitare dhe 6.000 do të jenë rezervë”, ka thënë ministri në një intervistë për radion publike.
“Ne do ta afrojmë ushtrinë më afër kufirit me Bjellorusinë për ta dëbuar agresorin, ashtu që të mos guxojë të na sulmojë”, ka thënë Blaszczak.
Zëvendësministri i Brendshëm, Maciej Wasik, ka thënë të mërkurën se Polonia do t’i dërgojë 2.000 trupa shtesë në kufi me Bjellorusinë.
Polonia është e shqetësuar për kufirin e saj, prej kur qindra pjesëtarë të grupit mercenar rus Wagner, kanë arritur në Bjellorusi muajin e kaluar, me ftesë të liderit të shtetit, Alexander Lukashenko.
Bjellorusia është duke i vazhduar stërvitjet ushtarake afër kufirit këtë javë, derisa presidenti Lukashenko ka thënë disa herë se po frenon pjesëtarë e Wagnerit që po synojnë sulm ndaj Polonisë.
Polonia është përballur së fundi edhe më rritje të numrit të migrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika.