Tuesday, September 26, 2023

A po e fitojnë shqiptarët “VMRO-në” e tyre?!

Pavarësisht përplasjeve politike midis partive shqiptare, ato, të paktën deklarativisht, dy çështje i kanë pasur të përbashkëta: mbrojtjen e kauzës shqiptare dhe orientimin properëndimor(pro BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve).

Për shkak të mospasjes dallime, ato në të kaluarën për ndonjë çështje madhore, edhe janë bërë bashkë. Ligji për përdorimin e gjuhës, është një nga këto çështje ku kanë vënë edhe nënshkrimet liderët e tyre pranë njëri tjetrit.

Në të kaluarën, kanë hyrë në pushtet, kanë rënë prej pushteti, por, orientimet e përgjithshme, nuk i kanë ndryshuar.

Mirëpo, a po thyhet ky klishe me opozitën e tashme shqiptare? Shpesh veprimet e një pjese të tyre ka hutuar votuesit shqiptar. Afrimet me parti nacionaliste të bllokut tjetër etnik, të cilat janë shquar shpesh për veprime antishqiptare dhe antiperëndimore, partitë opozitare shqiptare i vë në sprovën e kredibilitetit kombëtar.

Ndonjëherë verbëria e tyre për të realizuar qëllimet , i vënë në rrezik orientimet e tyre që nuk do të duhej flijuar. Ato në një moment të caktuar, mundohen të tubojnë rreth vetes cilindo që ka orientim opozitar, ose më saktë, anti-BDI-st, sepse kështu mendojnë se legjitimojnë veprimin e tyre. Sesa është kjo punë me risk të madh, është një emër që mbron në tekstet e tij kauzën e Lëvizjes Demokratike në formim e sipër, madje që flitet se është edhe këshilltar për çështje të politikës së jashtme(veni re: të politikës së jashtme!), por që i cili pikërisht nga këto pozita devalvon opozitën. Në një postim të tij, ky ish-diplomat, ku ka nxjerrë fotografinë e Ambasadës Amerikane në Shkup, duke shkruar pa kurrfarë dorezash: “institucioni më i korruptuar në Maqedoninë e veriut”!

Për një pohim të këtillë, lipsen fakte, kurse ky intelektual shqiptar, i ka këto fakte? Duket se nuk është vetëm kjo çështja, sepse pas bredhëritjeve jokonsekuente me qëndrimet e tij. Kur ishte në pushtet VMRO-ja, përkrahte opozitën, pasi ra ajo, u kthye kundër të tjerëve dhe tash jo vetëm që nuk i kursen partitë në pushtet, që mund të arsyetohet, është gjithnjë e më tepër edhe kundër SHBA-ve?
Shtrohet pyetja, çfarë kontributi mund t’i japë opozitës shqiptare ky intelektual me këtë lloj orientimi? Ta orientojë drejt, apo ta dezorientojë?!

Nëse ka diçka të pakontestueshme, është pikërisht kontributi i politikës amerikane në favor të kauzës shqiptare, sidomos me rënien e komunizmit në Shqipëri dhe pavarësinë e Kosovës dhe për paqen në Maqedoni, për çka shqiptarët do të jenë falënderues përjetë.
Ndër vite, qarqet e caktuara politike maqedonase, kanë qenë anti-amerikane, qoftë publikisht, qoftë fshehurazi, pikërisht duke akuzuar politikën amerikane si proshqoptare. Të tilla i ke edhe sot, prapë sa fshehurazi, sa dhe publike. Siç u tha më sipër, mos vallë qenka pjekur vetëdija e akëcilit intelektual dhe parti politike shqiptare, se jo domosdo shqiptarët duhet të shikojnë nga Amerika, BE-ja dhe NATO-ja? A po profilizohet ndonjë parti si VMRO-ja edhe në bllokun opozitar shqiptar?

Me këto përafrime e qëndrime, lë shumë vend për dyshime./indeks.mk