Azia Qendrore dhe Kazakistani ballafaqohen me sfida të shumta sigurie. Situata në Afganistan rezulton me ndikime të fuqishme në të gjithë rajonin, por OSBE-ja vazhdon t’i mbështesë vendet pjesëmarrëse në ballafaqimin me këto ndikime përmes paket-projekteve gjithëpërfshirëse për zbutjen e rreziqeve.
Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në konferencën për media me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Murat Nurtleu, që vijoi pas takimit në Astana, njoftojnë nga MPJ e Maqedonisë së Veriut.
“Pavarësisht sfidave me të cilat përballet OSBE-ja, veçanërisht për shkak të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, i cili ka ndikim të madh mbi sigurinë tonë kolektive, njerëzore dhe ekonomike, OSBE-ja do të vazhdojë të punojë në mënyrë të koordinuar dhe të ofrojë zgjidhje që do të nënkuptojnë siguri më të madhe për njerëzit nga rajoni më i gjerë i Azisë Qendrore”, tha Osmani.
closevolume_off
Përveç përballjes me sfidat, theksojnë nga MPJ, Osmani theksoi se Zyra e Programeve e OSBE-së në Astana, i jep mbështetje Kazakistanit edhe në zbatimin e agjendës së reformave.
“Bashkëpunimi midis Kazakistanit dhe OSBE-së tregon rezultate shumë të mira në terren. Për shembull, projekti ynë i përbashkët tre-vjeçar për mbështetjen e reformave në drejtësi rezulton në ngritjen e kapaciteteve në bashkëpunim me Gjykatën Supreme, organet qeveritare dhe institucionet nacionale për të drejtat e njeriut. Vlen të përmenden edhe projektet për eko-portet, luftën kundër krimit kibernetik dhe të tjera, gjë që flet për përfitimet e prekshme për njerëzit që dalin nga puna e përbashkët e Zyrës së OSBE-së dhe institucioneve”, theksoi Osmani.