Gazetari i njohur dhe analisti politik nga Kosova, Parim Olluri në një deklaratë për Indeks.mk, ka komentuar vizitën e së premtes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Shkup dhe Tetovës.
Sipas tij, vizitat jo zyrtare, me tendencë për të proklamuar ndonjë individë apo parti politike janë strategji e Kurtit për ta bindur elektoratin e tij në Kosovë se është politikan i respektuar edhe jashtë kufijve të Kosovës, që ka ndikim dhe rol kyç edhe në zhvillimet dramatike në Maqedoninë e Veriut- te partitë shqiptare atje.
“Ka një tendencë të Kurtit për të bindur elektoratin e tij se ai ka halle jashtë kufijve të Kosovës. Beteja e tij politike është me Ali Ahmetin dhe me Edi Ramën, në mënyrë që te elektorati i tij te krijohet përshtypja se ai nuk brengoset fortë për opozitarët e Kosovës: Krasniqin, Abdixhikun e Haradinajn”, tha Olluri për Indeks.mk
Ai potencon se është e çuditshme tentativa e tij, meqë, siç theksoi ai, në Shqipëri pati dështuar, duke marrë përgjigjen që ka zero ndikim.
“Fjala është për rezultatin e dobët në zgjedhjet në Shqipëri”, nënvizoi ai.(Indeks.mk)