Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ua dëshiron të mirën serbëve në afat të gjatë, ndërsa peticioni për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri është ligjërisht i vetmi propozim korrekt, por më së miri për qytetarët është që kryetarët të japin dorëheqje.

Rashiq vlerëson se Qeveria është stabile dhe se i kupton lëvizjet e kryeministrit Albin Kurti sa i përket çështjes së veriut dhe marrëdhënieve me Perëndimin, sepse mbron interesat e Kosovës.

“Unë e di që kryeministri po përpiqet të bëjë gjëra të mira dhe sinqerisht besoj se ai ua mendon të mirën serbëve me strategji afatgjate”, tha Rashiq, për RTK2.

Kurti është dikush që i përmbahet shkronjës së ligjit dhe propozimi i një peticioni nga qytetarët në veri, me të cilin do të kërkohej dorëheqja e kryetarëve, është i vetmi i saktë, sipas Rashiqit.

“Nëse po kërkoni një mënyrë për të hapur hapësirën për zgjedhje të reja sipas ligjit aktual, kjo është mënyra e vetme në këtë rast”, tha Rashiq.

Megjithatë, ai pretendon se dorëheqjet do të kishin një efekt proaktiv për qytetarët.

“Dorëheqjet do të ishin zgjidhja më e mirë e mundshme sepse do të jepnin dinamikë nga pikëpamja e vlerave demokratike dhe forcimit të pluralizmit”, tha ai.

Rashiq thekson se kjo është një mundësi që partitë tjera politike përveç Listës Serbe të përpiqen të fitojnë pushtetin dhe të bëjnë diçka për komunitetin.

“Kjo mund të jetë një mënyrë për të krijuar një iniciativë të re që do të përfshihej në proceset normale ligjore dhe do të merrte pjesë në zgjedhje të këtij lloji”, theksoi Rashiq.

Ministri Rashiq thotë se nuk do të habitej nëse Lista Serbe sërish do t’i bojkotonte zgjedhjet në veri të Kosovës dhe nëse nuk do të kishte presion, pret kandidatë të rinj dhe një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që do ta ushtrojnë të drejtën e votës.

“Është e natyrshme që serbët të jenë kryetarë komunash në një mjedis me shumicë serbe dhe shpresoj se në krye të komunës do të vijnë persona që do t’i kenë prioritet problemet e qytetarëve”, përfundoi Rashiq.