Kryeministri Albin Kurti është deklaruar lidhur me vizitën në Komunën e Tetovës dhe Çairit në Maqedoninë e Veriut, komuna këto që udhëhiqet nga subjekte opozitare.

Kurti është pyetur nëse pas kësaj vizite në vetëm këto dy komuna fshihej ndonjë mesazh politik për pushtetin atje, por ai e ka mohuar, duke thënë se është kryekëput shkaku i ftesës dhe se është ftuar në cilësinë e Kryministrit të Kosovën.

Ai ka thënë se nëse do të kishte ndonjë ftesë edhe nga ndonjë komunë tjetër, do ta përfshine në agjendë.

“Kjo është kryekëput shkaku i ftesës që kam pasur. Po të kisha ndonjë ftesë nga ndonjë komunë tjetër për diçka të ngjashme, natyrisht që do ta kisha përfshirë në kuadër të kësaj vizite. Unë kam kontakte edhe me krerët e partive të tjera politike shqiptare, por jo vetëm. Gjithashtu edhe me LSDMN’në kemi kontakte në forume të ndryshme ndërkombëtare, por edhe të drejtpërdrejta për shkak se edhe ata janë në mesin e këtyre partive socialdemokrate. Kështu që kjo vizitë nuk është partiake, është kombëtare ështtë për të mirën e të dy shteteve tona, është për të mirën e qytetarëve në të dy anët e kufirit në mënyrë që ata të jenë përfituesit e neve politikanëve që mbajnë funksione e kryejmë aktivitete”, tha Kurti.

“Unë e di në çfarë cilësie jam ftuar. Jam ftuar si kryeministër i Kosovës dhe e kam vlerësuar këtë ftesë dhe i jam përgjigjur asaj”, tha Kurti për televizionin lokal të Tetovës, TV Koha.