Sonte qytetarët i pret festë e madhe në Sheshin Skëndërbeu në Shkup, për të shënuar 22 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.

Festivali më i ri muzikor, “Peace Festival”, me fillim nga ora 21:00, sjell emrat më aktual të muzikës moderne shqiptare, të cilët për të pranishmit do të dhurojnë spektakël të paharruar.

Zëvendëskryeministri i parë i vendit, Artan Grubi, i cili njëkohësisht dhe merret me organizimin e këtij festivali, njoftoi se këtë vit në “Peace Festival” do marrin pjesë yjet e estradës shqiptare, si Noizy, Mc Kresha, Lyrical Son, Ledri, Ylli Limani, Tuna dhe Bardhi.

Qëllimi i këtij festivali së bashku me Shkollën për Liderë të Rinj, që filloi të mbahet prej më datë 11 dhe përfundon nesër më 13 gusht, është që këto organizime të shndërrohen në një manifestim tradicional për shënimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Forma e zgjedhur besohet se është një mundësi për të komunikuar mesazhin kryesor mbi vlerën e paqes, barazisë dhe demokracisë me pjesmarrësit e festivalit, impakti i të cilave është shumë më i madh tek të rinjtë, të cilët duhet të punojnë drejt kohezionit shoqëror në vendin tonë.