Në tregjet globale të naftës, çmimet e fuçisë u rritën për të shtatën javë radhazi javën e kaluar, duke shënuar tendencën më të gjatë të rritjes që nga fillimi i vitit 2022, pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi për furnizim gjithnjë e më të ngushtë.
Në tregun e Londrës çmimi i një fuçie Brent u rrit javën e kaluar me 0.5 për qind, në 86.81 dollarë, po me të njëjtën rritje u rrit edhe çmimi i fuçisë në tregun amerikan, duke e mbyllur javën në 83.19 dollarë.Çmimi i naftës bruto Brent është në nivelin më të lartë që nga janari, dhe ai amerikan WTI që nga fillimi i vitit. Hera e fundit që çmimet e naftës u rritën për shtatë javë rresht ishte në janar-shkurt 2022, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.
Rritja e çmimeve të naftës u mbështet nga vlerësimi i IEA-s i publikuar të premten se kërkesa globale për naftë arriti një rekord prej 103 milionë fuçi në ditë në qershor dhe mund të arrijë një rekord të ri në gusht.
OPEC, megjithatë, në parashikimin e tij mujor, përsëriti vlerësimet e tij për kërkesën vjetore të naftës, duke pritur rritje prej 2.25 milionë fuçi në ditë në 2024, krahasuar me 2.44 milionë fuçi në ditë në 2023.
Nga ana e ofertës, prodhimi është ngadalësuar ndjeshëm në muajt e fundit për shkak të shkurtimeve vullnetare të prodhimit në Arabinë Saudite dhe Rusi. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, të njohur kolektivisht si OPEC+, filluan të shkurtojnë ofertën në fund të vitit 2022 për të forcuar tregun dhe në qershor zgjatën shkurtimet deri në vitin 2024.
Nëse mbahen objektivat aktualë të OPEC+, inventarët e naftës mund të bien me 2.2 milionë fuçi në ditë në tremujorin e tretë dhe me 1.2 milionë fuçi në ditë në tremujorin e katërt, duke shkaktuar potencialisht një rritje tjetër të çmimeve, parashikoi IEA të premten.
Dhe perspektiva e një rimëkëmbjeje të lehtë në ekonominë amerikane, si dhe spekulimet se Fed po i afrohet fundit të ciklit të saj të rritjes së normave, mbështetën disponimin e mirë të tregtarëve të naftës.
“Ulja e ofertës dhe përmirësimi i perspektivës ekonomike kanë krijuar optimizëm tek investitorët e naftës”, tha analisti i OANDA, Craig Erlam.