Ndonëse është paraqitur si sukses nga Qeveria e Kosovës, ligji i ri që parasheh rritjen e pagës minimale në Kosovë, që u miratua të enjten e 13 korrikut në Kuvend, ka hasur në kundërshtime nga veteranët e luftës në Kosovë.

Në parim, me të parashihet që paga minimale në Kosovë të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat.

Megjithatë, kjo s`ndikon në rritjen e pensioneve të veteranëve, të cilët aktualisht i marrin 170.

Përparim Gruda e ka konsideruar padrejtësi.

“Ligji për Pagën minimale përjashton veteranët, i bie që veç ata po bënë me jetuar nën pagën minimale e tjerët jo”, u shpreh ai për Front Online.

Ai si koordinator i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë (KQM) të Partisë Demokratike të Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë ta zgjedh këtë telashe, qoftë edhe duke i ri-verifikuar listat.

“Çfarë faji ka një veteran në Dukagjin, Drenicë, që ka qenë ushtar i vërtetë i UCK-së që Qeveria nuk i pastron listat. Prokuroria të hetojë, por Qeveria me zbërthye procesin, me dërguar prova, ose ta bëjë një proces të ri të verifikimit, ama jo veteranëve me ua mohu atë pagë minimale”.