Rusia është në proces të pajisjes së nëndetëseve të reja bërthamore me raketa hipersonike, Zircon, ka thënë të hënën shefi i ndërtuesit më të madh të anijeve të Rusisë, Alexei Rakhmanov.

Në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve, RIA, Rakhmanov tha: “Nëndetëset bërthamore shumëqëllimshe të projektit Yasen-M do të pajisen me sistemin e raketave Zircon në baza të rregullta”.

“Puna në këtë drejtim ka nisur tashmë”, theksoi Rakhmanov, shefi ekzekutiv i United Shipbuilding Corportation.

Nëndetëset e klasit Yasen, të njohura edhe si Project 885M, janë nëndetëse lundëruese bërthamore të pajisura me raketa, që u ndërtuan për t’i zëvendësuar nëndetëset bërthamore sulmuese të epokës sovjetike, si pjesë e një programi për ta modernizuar ushtrinë dhe flotën detare.

Raketat hipersonike me bazë detare, Zircon, kanë një rreze veprimi prej 900 kilometrash, dhe mund të udhëtojnë me shpejtësinë e zërit, gjë që e bën të vështirë të mbrohesh ndaj tyre.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha në fillim të këtij viti se Rusia do ta fillojë furnizimin masiv me raketa Zircon, në kuadër të përpjekjeve të vendit për t’i përforcuar forcat bërthamore.

Fregata ruse, Admiral Gorshkov, e cila i ka testuar aftësitë gjuajtëse në perëndim të Oqeanit Atlantik në fillim të këtij viti, është pajisur tashmë me raketa Zircon./REL