Telekomi i Maqedonisë së Veriut kumtoi se sot në mëngjes janë dëmtuar kabllot kryesore magjistrale optike në disa lokacione në rajonin e Kumanovës dhe Strumicës përmes të cilave kalon pjesa më e madhe e komunikacionit mobil dhe fiks. Dëmi është bërë nga punë ndërtimore të palëve të treta, që shkaktoi pengesa në shërbim tek shumë shfrytëzues.

“Për këtë shkak, Telekomi i Maqedonisë do t’i ndërmarrë aktivitetet e nevojshme për zbatim të procedurës para organeve kompetente kundër personave përgjegjës për ngjarjen e dëmshme. Kërkojmë nga të gjithë kryesit e punëve ndërtimore të punojnë me përgjegjësi dhe me kujdes, sepse shkaktojnë dëm për të gjithë qytetarët, përkatësisht shfrytëzuesit tanë, të cilët mbesin pa shërbimet e domosdoshme komunikuese. Sanimi i dëmeve të këtilla të mëdha nënkupton punë prej disa orëve në terren, por ekipet tona punuan intensivisht dhe për një periudhë të shkurtë kohore shërbimet sërish u kthyen në përdorim. Edhe krahas asaj që bëhet fjalë për ndërprerje të shkaktuar nga palë të treta, si kompani përgjegjëse e cila kujdeset për kënaqësinë e shfrytëzuesve të vet, të gjithë shfrytëzuesve tanë privat dhe afaristë u ndajmë 10 GB internet mobil deri në fund të muajit gusht 2023”, ceket në kumtesën e Telekomit.