Pas dyshimeve për keqpërdorime të rezervave shtetërore të Republikës së Kosovës, Policia ka bastisur pronat e Ridvan Muharremit dhe ambientet e MINT. Në polici janë shoqëruar tre persona.
Është arrestuar Ridvan Muharremi, pronari i lokalit “Bukë e zemër”, i dyshuar për keqpërdorime të rezervave shtetërore të Kosovës. Së bashku me të janë shoqëruar në polici edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Mëngjesin e së premtes, Policia e Kosovës ka bastisur lokalin dhe banesën e Muharremit.
Avokati i këtij të fundit, Mahmut Halimi ka deklaruar para mediave se ka prova të mjaftueshme për pafajësinë e klientit të tij duke shtuar se nuk ka ndonjë fletarrest për të.
“Kemi prova te mjaftueshme për pafajsinë e klientit tim. Do të njoftohet opinioni për të gjitha, është i lirë, nuk ka fletarrest për të. Do të ftohet në polici se kemi kërkuar që të ftohet nga organet e drejtësisë. Ai ka qenë brenda në banesë gjatë kohës së bastisjes”, ka thënë Halimi.
Pas shoqërimit të tij në polici, avokati i Ridvan Muharremit ka thënë se ai është shoqëruar në Prokurorinë speciale për intervistim për aferën e vajit dhe grurit dhe nuk ka urdhër-arrest.
Sipas tij, pas intervistimit do të vendoset për të njëjtin.
“Ai është shoqëruar në Prokurorinë speciale për intervistim për aferën e vajit dhe grurit dhe nuk ka urdhër arrest. Pas intervistimit do të vendoset për të njëjtin”, ka thënë Halimi.
Bastisja e pronave të Muharremit nisi në orën 6:00 të mëngjesit për të vazhduar më pas në bastisjen e ambienteve të MINT-it në orën 8:00.